Hoti premton transparencë të plotë të shpërndarjes së fondeve të rimëkëmbjes

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka kryesuar takimin e parë të Këshillit Kombëtar për Ekonomi dhe Investime.

Në këtë takim janë diskutuar hapat për harmonizimin e veprimeve të institucioneve shtetërore me sektorin privat dhe me partnerët e tjerë zhvillimorë që janë të përfshirë në promovimin e investimeve dhe zhvillimin ekonomik të Kosovës.

Me këtë rast, Hoti ka thënë se garantojnë transparencë të plotë të shpërndarjes së fondeve të rimëkëmbjes, për shkak të pandemisë COVID-19.

“ Unë e them me kënaqësi, sigurisht brenda kapaciteteve tona që i kemi si ekonomi dhe si Qeveri, që me rishikimin e buxhetit ne kemi formuar Fondin për Rimëkëmbje Ekonomike prej 365 milionë euro dhe në vendimin e Qeverisë të para një jave e kemi shpërndarë këtë fond nëpër masa të ndryshme, siç e keni pare”, tha ai.

Hoti ka shtuar se në javët dhe mujt e ardhshëm duhet punuar që të implementohet pakoja e rimëkëmbjes ekonomike, përmes masave të ndryshme.

“Kjo nënkupton që në secilën prej masave ministrat përkatës janë duke i bërë përgatitjet e nevojshme që nënkupton nxjerrjen e udhëzimeve, dokumenteve ose kritereve në bazë të cilave i shpërndajnë fondet për subvencionim të pagave ose për mbulim të normës së interesit, ose për subvencione të ndryshme, ndihmë të ndryshme në sektorë të ndryshëm”, shtoi Hoti.

Kryeministri ka paralajmëruar edhe një një strategji zhvillimore 5-vjeçare, që shkon deri në 6 miliardë euro ndihmë për ekonominë.

“Unë pres që në javën e parë të tetorit të kemi Konferencën e donatorëve për Ballkanin Perëndimor, ku i vendosim përfundimisht projektet e mëdha infrastrukturore 6 vendet e Ballkanit Perëndimor përfshirë edhe Kosovën, disa prej projekteve që i lidhin më mirë këto vende, projekte infrastrukturore kryesisht por që krijojnë efekte multiplikuese në ekonomi, që shkojnë për Kosovën besoj deri në 700 milionë euro në periudha 5 vjeçare”, theksoi mes tjerash Hoti.

Për shkak të pandemisë, shumë biznese në Kosovë kanë pësuar humbje.

Ndërkaq, sipas të dhënave zyrtare në Kosovë me COVID-19 deri më tani janë konfirmuar 11 mijë e 848 persona, janë shëruar 7 mijë e 684 pacientë dhe kanë vdekur 425 të tjerë.