Foto: KALLXO.com

Hoti për situatën me vërshimet: Kemi kërkuar edhe mbështetjen e KFOR-it

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti ka deklaruar se për gjendjen e krijuar në vend nga vërshimet, e kanë kërkuar edhe mbështetjen e misionit të KFOR-it.

“Krejt jemi angazhuar. Ka disa ditë që unë personalisht nga afër jam duke përcjell situatën përmes qendrës operative që kemi këtu të kryeministrisë, e cila i lidhë zyrtarët edhe nga Agjencia për menaxhim të emergjencave, Ministria ed Punëve të Brendshme, nga shtabet lokale, nga FSK-ja dhe nga institucionet e tjera. Kemi kërkuar edhe mbështetjen e KFOR-it”, theksoi ai.

Hoti në një konferencë për media tha se gjendja me vërshimet ishte paralajmëruar më herët nga institucionet përkatëse.

“Po mundohemi të marrim masat e nevojshme, për të shpëtuar së pari jetën e qytetarëve, për të evituar dëmet e mëdha në infrastrukturë dhe do të evidentojmë së shpejti dëmet që janë bërë”, tha ai.

Shumë komuna të Kosovës ditët e fundit janë duke u përballur me vërshime të mëdha, pas reshjeve të shiut dhe borës për disa ditë radhazi.

Ekipet e KALLXO.com po qëndrojnë në lokalitete të ndryshme, duke raportuar nga vendi i ngjarjes.