Foto: ZKM

Hoti paralajmëron mundësinë e rikthimit të izolimit të plotë

Kryeministri i Kosovës, Abdullah Hoti ka paralajmëruar mundësinë e rikthimit të izolimit të plotë nëse vazhdojnë të rriten rastet me COVID-19 dhe nëse nuk respektohen rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike.

Hoti ka thënë se me këtë ritëm do të bllokohet Klinika Infektive dhe mjekët do të detyrohen të zgjedhin se kë duhet ta ndihmojnë më parë.

“Rastet me COVID-19 po rriten shumë. Me këtë ritëm, shpejt do të bllokohet Klinika Infektive dhe atëherë mjekët tanë do të përballen me vendime të vështira morale se kënd duhet ndihmuar më parë. Ato skena i kemi parë në vendet që e përjetuan shumë rëndë këtë pandemi. Nuk mund të lejojmë të na krijohen situata të tilla. Nëse vazhdon ky ritëm, do të detyrohemi t’i kthejmë masat e izolimit total, të cilat do të kenë pasoja të rënda për ekonominë dhe familjet tona”, ka shkruar Hoti në Facebook.

Ai përsëri ka bërë thirrje që njerëzit të përdorin masat mbrojtëse për ta ruajtur veten dhe të tjerët nga virusi.

“Masat për tu mbrojtur janë të thjeshta: (1) maska, (2) distanca fizike dhe (3) larja e duarve. Vetëm kaq mjafton për ta ruajtur veten, fëmijët tanë, prindërit, por edhe bashkëpunëtorët në vendin e punës, bashkudhëtarët në autobus e taksi, apo personin ngjitur në tavolinën tjetër në restorant”, ka thënë ai.

Kryeministri Hoti ka thënë se manuali për ndalimin e përhapjes së COVID-19, i përgatitur nga Ministria e Shëndetësisë dhe IKShP është i obligueshëm.

“Është përgjegjësi e udhëheqësit të institucionit publik (ministri, komuna, ndërmarrje publike, agjenci etj.) dhe e pronarit të biznesit (në prodhim, restorant, shërbime, transport etj.) të sigurohen se janë marrë masat sipas këtij manuali”, ka theksuar Hoti.

Më tej, Hoti ka potencuar se mos përmbushja e këtyre masave rrezikon shëndetin e qytetarëve dhe, rrjedhimisht, është e dënueshme.

“Nuk do të ketë tolerancë për askënd që shkel këto rregulla. Nuk mund të pësojmë si shoqëri për shkak të papërgjegjësisë së bartësve të institucioneve apo bizneseve që nuk i ndërmarrin masat mbrojtëse adekuate”, ka përfunduar Hoti.

Që nga 13 marsi, kur është regjistruar rasti i parë me COVID-19 në Kosovë, e deri më sot, janë regjistruar 2590 të infektuar, 1394 të shëruar dhe 47 të vdekur.