Hoti i premton Komisionerit të BE-së stabilitet institucional e fiskal në Kosovë

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, gjatë ditës së sotme ka zhvilluar një bisedë telefonike me Komisionerin për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi.

Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, në këtë bisedë telefonike është diskutuar për zhvillimet politike në vend, si dhe situatën me pandeminë COVID-19.

“Kryeministri Hoti e ka siguruar z. Varhelyi,  se Kosova do të vazhdojë të ketë stabilitet institucional dhe fiskal, do ta trajtojë me prioritet menaxhimin e pandemisë Covid-19 dhe do t’i kryej të gjitha obligimet që dalin karshi procesit të integrimit të vendit në Bashkimin Evropian”, thuhet në njoftim.

Ndërsa sa i përket sigurimit të vaksinës kundër COVID-19, Varhelyi ka siguruar Hotin se një sasi e saj do të arrijnë në Kosovë në të njejtën kohë sikurse në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.

“Të dy bashkëbiseduesit ngritën shqetësimin për hyrjen ilegale të vaksinës kundër Covid-19 në Kosovë, pa procedura të rregullta të importit apo donacionit për produkte medicinale, për të cilat nuk dihet as origjina. Kjo sjellje e Republikës së Serbisë u konsiderua e papranueshme dhe institucionet e Kosovës  kanë inicuar veprimet  e nevojshme ligjore ndaj personave të përfshirë në këto veprime”, thuhet tutje në njoftim.

Gjithashtu, Hoti ka falënderuar gatishmërinë e Institucioneve të Bashkimit Evropian, që të vazhdojnë mbështetjen e pakursyer për institucionet dhe qytetarët e Kosovës, në menaxhimin e krizës të cilën e ka shkaktuar pandemia COVID-19.