Homazhe në nder të ditëlindjes së 70-të të Hamëz Jasharit

Heroi Hamëz Jashari është kujtuar sot në ditëlindjen e tij të 70-të, e që me ç’rast janë organizuar disa aktivitete nga Komuna e Skenderajt.

Kryetari i Komunës, njëherësh i biri i heroit, Bekim Jashari bashkë me një delegacion kanë vendosur lule tek busti në Skenderaj, përkatësisht të Gjimnazi që mbanë emrin e tij dhe pastaj te Kompleksi Memorial “Adem Jashari”, në Prekaz.

Sipas njoftimit, nxënësit e Gjimnazit kishin përgatitur program të pasur kulturor – artistik, në nderim të jetës e veprës së heroit të kombit Hamëz Jashari.

“Kujtimi për babën edhe sot pas 22 vitesh nga rënia e tij historike, mbetet i freskët, mësimet e tij për jetën, atdhedashurinë, sinqeritetin e trimerinë kanë qenë dhe mbeten frymëzimi im jetësor”, ka shkruar Jashari në rrjetin social ‘Facebook’.

“Përjetë mirënjohës për ty babë që na rrite e edukove nën frymën patriotike e dashurisë për atdheun”, shtoi ai.

Më tej ai ka shkruar se ‘do të jetojë e punojë çdo ditë duke jetësuar amanetin e tij’.

Hamëz Jashari ra heroikisht në mars të vitit 1998.