Hetimet parlamentare në funksion të agjendave politike apo të zbardhjes së keqpërdorimeve në institucionet publike

Përgjatë 23 vjet parlamentarizmi në Kosovë janë themeluar gjithsej 13 komisione hetimore, por vetëm një të tretës prej tyre u janë miratuar raportet. Përgjithësisht, puna e hetuesve parlamentarë nuk vlerësohet e suksesshme. Më tepër, komisionet hetimore shihen si mekanizëm i luftës politike ndërmjet partive parlamentare

Gjatë karrierës politike, Muharrem Nitajt nga AAK, disa herë i ka rënë hise të bëhet hetues parlamentar. Ai tani nuk është deputet, por kujton se në komisionet hetimore në të cilat ka marrë pjesë kur ishte pjesë e legjislativit është bërë “punë e dobishme” në zbardhjen e pretendimeve për shkelje ligjore në institucionet publike. Hetimet parlamentare, Nitaj vazhdon t’i shoh si instrument që mund të përdorën veçmas nga opozita për t’i nxjerr në pah zhvillimet brenda institucionale për të cilat ka dyshime se nuk kanë rrjedhë normale. Megjithatë, ai thotë se këto komisione e kanë një të metë. “Defekti kryesor i këtyre komisioneve, ndonjëherë është pikërisht nevoja e grupeve të caktuara që ato t’i shndërrojnë në mekanizëm të luftës politike”, thotë Nitaj për Kallxo.com.

Se komisionet e tilla dinë të keqpërdoren për agjenda politike e thotë edhe ish deputetja e LVV-së e më pas edhe e PSD-së, Shqipe Pantina. “Deputetët varësisht të cilit krahë janë, pozitë apo opozitë, i përdorin komisionet parlamentare për t’i sulmuar ata që janë subjekt hetimi, e jo për të hetuar realisht çështjen për të cilën janë formuar. Pra, janë thjesht për agjendë politike e jo në interes të çështjes”, shprehet Pantina që tani është pjesë e LDK-së.

Pavarësisht kësaj, si Pantina ashtu edhe Nitaj vlerësojnë se në Kuvend megjithatë duhet të formohen komisione hetimore. “Për fat të keq deri më tani hetimi parlamentar si instrument nuk është përdorur në formën siç është menduar me Rregullore. Komisionet hetimore në fakt duhet të përdoren nga deputetët, sidomos nga opozita, si instrument për të zbardhur dyshime në çështje të caktuara”, thotë Pantina.

“Kosova nuk është se ka ndonjë përvojë të gjatë me këto komisione, por e ka të domosdoshme ta kalojë këtë sindromën e shfrytëzimit për qëllime politike të një hetimi parlamentar”, thekson në anën tjetër Nitaj, duke përkujtuar se në shumë vende demokratike, komisionet hetimore parlamentare, janë levë e fuqishme e jetës parlamentare. Por mbi të gjitha, siç thotë ai, duhet të kuptohet që komisionet hetimore parlamentare, nuk mund ta luajnë rolin e prokurorisë.

Mandatin për të hetuar një çështje të caktuar deputeti e fiton me Rregulloren e Kuvendit dhe Ligjin për hetime parlamentare. Mbështetur në këto dy dokumente, parlamentarët që angazhohen në komisione hetimore ndër të tjera gëzojnë të drejtën për t’i thirrur në dëgjim bartësit e funksioneve publike që të japin dëshmi nën betim, të kenë qasje të pakufizuar në dokumentet zyrtare si dhe të kërkojnë prova materiale.

13 komisione hetimore për 23 vjet parlamentarizëm në Kosovë 

Me synimin e zbardhjes së një mori rastesh të dyshimta në institucionet publike, përgjatë 23 vjet parlamentarizmi në Kosovë, janë themeluar gjithsej 13 komisione hetimore. Por raportet përfundimtare u janë miratuar vetëm katër prej tyre. Të tjerave komisione hetimore nuk u janë miratuar raportet, qoftë për shkak të shpërndarjes së Kuvendit, qoftë për shkak të skadimit të mandatit të tyre.

Gjatë kësaj legjislature, që është e teta me radhë, propozimet për të hetuar raste të ndryshme, kanë bërë që Komisionet Hetimore të shndërrohen në arenë përplasjesh mes partisë në pushtet dhe partive opozitare.

Aktualisht janë funksionale dy komisione të tilla, njëri në lidhje me rastet e dhunës seksuale dhe dhunës në familje, dhe tjetri ka të bëjë me procedurat për furnizimin dhe menaxhimin me rezervat shtetërore.

Ndërkohë, në procedurë të themelimit janë edhe tri komisione: ai për zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit; për rastin e kontratës së Ministrisë së Punëve të Jashtme me Gani Jakupin dhe komisioni për procesin e subvencionimit të blerjes së teksteve shkollore.

Arbër Thaçi, hulumtues në Institutin Demokratik të Kosovës, thotë se praktika e deritashme ka treguar se këto komisione në kuptim të rezultatit të punës hetimore janë treguar jo të suksesshme.

Në një përgjigje për KALLXO.com ai ka deklaruar se Komisioni hetimor parlamentar- si institucion, nuk duhet të shndërrohet një mundësi për të shprehur pretendime politike.

Në fakt, Ligji për Hetim Parlamentar përcakton strukturën organizative, veprimtarinë, kompetencat dhe përgjegjësit e Komisionit hetimor.

Sipas Thaçit, ky ligj e vështirëson hetimin objektiv për shkak të përfaqësimit të shumicës parlamentare.

“Parimi i reflektimit të përfaqësueshmërisë së shumicës parlamentare në komisione hetimore shpeshherë apriori e minon hetimin, meqenëse praktikisht hetimi [supozohet] të ndërmerret kundrejt ekzekutivit apo ndonjë ngjarjeje ose veprimi të lidhur me të. Në këtë mënyrë, hetimi parlamentar si organizim objektiv hulumtimi çështjesh i nënshtrohet agjendave politike brenda Kuvendit. Deri më tani, në kuptim të vullnetit të shprehur nga ana e deputetëve, kjo e drejtë u është nënvendosur agjendave politike – ajo përbën një mundësi më tepër, për të përfaqësuar pretendimet politike”- ka thënë ai.

Bllokimi i komisioneve hetimore parlamentare 

Në tetor të vitit 2023, refuzimi i deputetëve nga Lëvizja Vetëvendosje për të marrë pjesë në mbledhjet e Komisionit hetimor për rezerva shtetërore pati pamundësuar shtatë herë radhazi konstituimin e tij. Deputetët nga partia në pushtet nuk merrnin pjesë në këto mbledhje në revansh të opozitës që nuk i votonte marrëveshjet ndërkombëtare.

Së voni, në dy seanca të Kuvendit të mbajtura më 08.02.2024 dhe 15.02.2024, themelimi i dy  komisioneve hetimore parlamentare të propozuara nga Partia Demokratike e Kosovës, është shtyrë për shkak të mungesës së kuorumit në Kuvend.

Partia në pushtet nuk mori pjesë në votim, ndërsa kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca tha se për të dyja këto komisione Lëvizja Vetëvendosje nuk i ka propozuar anëtarët.

Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, në një përgjigje për KALLXO.com ka thënë se nga praktikat e mëhershme kurrë nuk ka ndodhur që të refuzohet nga mazhoranca formimi i komisioneve hetimore.

“Nga praktikat e mëhershme kurrë nuk ka ndodhe që të refuzohen nga mazhoranca formimi i këtyre komisioneve, por tash e kemi parë se ose kushtëzohet formimi i këtyre komisioneve, ose pengohet konstituimi i tyre, ose nuk votohen fare. Rezultatet e komisioneve janë se nxjerrin përfundime se çka ka ndodhur, hartohet raporti me konstatime dhe rekomandime dhe së paku bëhet publike çfarë ka ndodhur. Hezitimi për t’i votuar këto komisione jep me kuptuar se vërtetë kanë ndodhë, qoftë vjedhja e rezervave shtetërore, qoftë abuzimet e keqpërdorimet e tjera të aluduara”- ka thënë ajo.

Shefja e GP të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila ka kritikuar opozitën në seancën e mbajtur më 18.01.2024 duke thënë se opozita nuk ka ofruar zgjidhje për sektorin e energjisë duke propozuar komisione hetimore.

Çka hetuan Komisionet Hetimore Parlamentare ndër vite?

Sipas të dhënave të Kuvendit të Kosovës, prej vitit 2006 deri më tani janë formuar gjithsej 13 komisione hetimore parlamentare. I pari është themeluar më 03.11.2006 lidhur me Raportin e zyrës së Auditorit të Përgjithshëm për gjetjet faktike në Kuvendin e Kosovës.

Komisioni i dytë i këtij lloji është formuar në 28.03.2024 lidhur me faturimin e shpenzimit të rrymës elektrike për muajin janar 2013, kohën e llogaritjes sipas tarifës së lirë, njehsorët digjital dhe masat e ndërmarra në lidhje me këtë rast.

Në përgjigjen për KALLXO.com, Kuvendi ka njoftuar se raportet për këto dy komisione janë miratuar.

Komisioni i tretë hetimor është themeluar më 01.06.2018 për të hetuar çështjen e shpenzimeve  për lobim nga ana e Presidencës dhe Qeverisë së Kosovës

“I themeluar më 1 qershor 2018. Komisioni Hetimor Parlamentar ka përgatitur raport. Raporti përfundimtar është shqyrtuar më 12.04.2019, ndërsa miratimi i tij ka mbetur i papërfunduar deri në shpërndarjen e Kuvendit më 22.08.2019”- thuhet në përgjigjen e Kuvendit.

I katërti ishte formuar më 28.06.2018 në lidhje me emërimet e shërbyesve të lartë civil në Administratën Shtetërore

Ndërsa Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me ndriçimin e rastit të dëbimit të 6 shtetasve turq më 29 mars 2018, ishte komisioni i pestë i formuar në Kuvendin e Kosovës.

I gjashti komision hetimor parlamentar është themeluar lidhur me gjendjen në PTK dhe Vala.

“I themeluar më 7 mars 2019. Komisioni Hetimor nuk ka arritur ta përgatis Raportin Përfundimtar deri në shpërndarjen e Kuvendit më 22.08.2019”- ka njoftuar Kuvendi i Kosovës.

Edhe për çështjen e menaxhimit të pandemisë COVID- 19 ishte krijuar në Komision Hetimor Parlamentar.

I themeluar më 04.06.2020, Komisioni Hetimor nuk ka arritur ta përgatis Raportin Përfundimtar.

Ndërsa më 10.07.2020 është themeluar Komisioni lidhur me procesin e privatizimit në Kosovë.

I nënti më radhë është Komisioni Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e licencimit, operimit, mbikëqyrjes dhe aplikimit për lejet e hidrocentraleve në Republikën e Kosovës, i themeluar më 14.08.2020.

Kurse më 05.05.2022 është themeluar Komisioni Hetimor Parlamentar lidhur me menaxhimin e krizës energjetike nga Qeveria e Republikës së Kosovës.

Po atë ditë është  themeluar edhe Komisioni Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022, në nivelin legjislativ, ekzekutiv, rregullator dhe në ndërmarrje publike.

Ndërsa aktualisht në funksion janë dy komisione.

Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me rastet e dhunës seksuale dhe dhunës në familje në Republikën e Kosovës është themeluar më 07.06.2023, ndërsa komisioni për hetimin e procedurave për furnizimin dhe menaxhimin me rezervat shtetërore është themeluar më 21.09.2023.

Provat materiale, dëshmitë e hetimit dhe ekspertiza e secilit komision hetimor parashihen të arkivohen dhe ruhen në pajtim me ligjin.