Foto: Mytaher Haskuka/Facebook

Haskuka tregon se dje gjatë ditës janë përmirësuar gabimet drejtshkrimore në emërtimin e "Muzeut të Dëshmorëve"

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka ka njoftuar se gabimet drejtshkrimore në emërtimin e “Muzeut të Dëshmorëve”, i cili është përuruar dje në Landovicë, janë përmirësuar dje gjatë ditës.

“Dje gjatë ditës mbishkrimi është rregulluar”, ka shkruar Haskuka në Facebook, duke bashkëngjitur edhe fotografinë me të cilën dëshmohet ky përmirësim.

Foto: Mytaher Haskuka/Facebook

Në postimin e tij në Facebook, Haskuka ka theksuar se ka pasur iniciativa edhe për ta vonuar dhe sabotuar hapjen e këtij Muzeu.

“Dy pikat e Ë-së rregullohen, por mendjet e disave vështirë. U munduan ta vonojnë e ta sabotojnë hapjen e Muzeut të Dëshmorëve, biznese të lidhura me ish pushtetin. Por ja që nuk e arritën, ngase ne jemi për të punuar e zhvilluar, e jo për të sabotuar e shkatërruar”, ka shkruar kryetari Haskuka në Facebook.

Gjatë ditës së djeshme, KALLXO.com ka raportuar për gabimin drejtshkrimor te mbishkrimi në hyrje të Muzeut të Dëshmorëve në fshatin Landovicë, i cili u përurua dje nga Komuna e Prizrenit.

Në fotografitë që u postuan në profilin e kryetarit të Prizrenit, Mytaher Haskuka, u pa që ishte shkruar “Muzeu i Dëshmoreve”, dhe në vend të shkronjës (ë) që do të duhej të ishte menjëherë pas shkronjës (r), kanë shkruar shkronjën (e). Me këtë gabim, Haskuka dhe Komuna e Prizrenit, kanë përjashtuar dëshmorët (burra) sepse sipas mbishkrimit, ky del të jetë një Muze vetëm për dëshmoret gra.

Ndërsa në postimin bërë në llogarinë e tij në rrjetin social Facebook, Haskuka e ka shkruar drejtë fjalën “Dëshmorëve”, e që nënkupton se Muzeu është i gjithë dëshmorëve, gra e burra që dhanë jetën për lirinë e Kosovës, 22 vjetorin e të cilës vendi po e kremton sot.

Gabimi është vërejtur edhe në mbishkrimin në gjuhën angleze. Në vend që të shkruhet “Martyrs Museum”, Komuna e Prizrenit e ka shkruar “Martys Museum”.

Por sot, një ditë pas publikimit të fotografive nga Haskuka, KALLXO.com ka vërejtur se në fotografinë e njëjtë është intervenuar me fotoshop për të vendosur pikat mbi “e”, në mënyrë që shkronja “e” të bëhet “ë” dhe fjala “Dëshmoreve” të bëhet “Dëshmorëve”.

Intervenimi në fotografi është bërë edhe te fjala në gjuhën angleze. Fjala “Martys” është përmirësuar dhe është bërë “Martyrs”.

Foto: Mytaher Haskuka/Facebook

Në “Muzeun e Dëshmorëve” do të ekspozohen dokumente dhe eksponate e të gjithë dëshmorëve të luftës së UÇK-së.

“Ditën e Çlirimit të Prizrenit, sot së pari filluam duke bërë homazhe në Varrezat e Dëshmorëve në Landovicë. Pastaj, bashkë drejtoreshën e Drejtorisë së Turizmit dhe Zhvillimit Ekonomik, Sevil Kazaz, deputetët e Kuvendit të Kosovës, familjet e dëshmorëve, shoqatat e dala nga lufta dhe drejtorët komunalë e përuruam Muzeun e Dëshmorëve në Landovicë”, kishte shkruar Haskuka.

Ai tha se ky Muze është i pari i këtij lloji në Kosovë.