Mytaher Haskuka - Foto: KALLXO.com

Haskuka në ‘gjueti’ për drejtorë të rinj të Komunës

 

Pjesën e mbetur të mandatit kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, duket se do ta bëjë i vetmuar në qeverisje, pasi me gjasë nuk do t’i ketë partnerët e koalicionit me të cilët e filloi drejtimin e Komunës.

Gjashtë nga 13 drejtoritë e Mytaher Haskukës kanë mbetur pa drejtorë. Disa prej tyre u shkarkuan e disa dhanë dorëheqje, ndërsa dikush u emërua në pozita tjera.

Por, kryetari Haskuka në një intervistë për KALLXO.com ka paralajmëruar edhe ndryshime të tjera. Sipas tij, nga 13 drejtori sa i ka Komuna e Prizrenit, dhjetë do të drejtohen nga drejtorë të rinj.

KALLXO.com mëson se Haskuka ka hasur në vështirësi për të emëruar drejtorët e rinj, pasi disa kandidatë i kanë refuzuar këto pozita.

Asamblistja e LVV-së në Prizren dhe ish-kandidatja për deputet në zgjedhjet e 6 tetorit të vitit 2019, Dafina Alishani ka refuzuar të marrë në drejtim Drejtorinë e Inspektoratit, ndërsa ish kandidatja e Vetëvendosjes për deputete në zgjedhjet e vitit 2013 Nora Arapi – Krasniqi, me profesion arkitekte ka refuzuar të merr në drejtim Drejtorinë e Urbanizmit.

KALLXO.com mëson se gjatë kësaj jave Haskuka ka shpeshtuar takimet dhe është në kërkim të drejtorëve tjerë për të zëvendësuar të dorëhequrit apo të shkarkuarit, pasi që në ditët e fundit ka hasur në vështirësi për të emëruar drejtorët e rinj.

Gjatë mandatit të Haskukës, pesë drejtorëve të Komunës iu është ngritur aktakuzë, ndërsa tashmë në detyrë mbetet vetëm drejtori i Inspektoratit Islam Thaqi, ndërsa katër të tjerë, Levent Kasemi, Fejzë Kabashi, Refik Shaqiri dhe Ertan Simitqi janë dorëhequr ose shkarkuar.

Beni Kizolli që në zgjedhjet e 6 tetorit të vitit 2019 në listën e Vetëvendosjes nuk kishte marrë votat e mjaftueshme për të fituar ulëse në Kuvendin e Kosovës, do të merr në drejtim Drejtorinë e Urbanizmit.

Ndërsa drejtorinë e Shëndetësisë pritet ta marrë në drejtim Narqize Ariliu, me profesion stomatologe, por një emër i panjohur në skenën politike.

Osman Krasniqi dikur kundërshtar i Haskukës për të parin e Prizrenit, pritet të merr në drejtim Drejtorinë e Shërbimeve Publike.

Edhe ish-ministrja e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal në Qeverinë Kurti, Emilija Rexhepi, kryetare e partisë NDS, që përfaqëson komunitetin boshnjak, do të rikthehet në Prizren për të marrë nën drejtim Drejtorinë për Kulturë Rini dhe Sport.

Emilija Rexhepi në zgjedhjet e 6 tetorit 2019 kishte fituar votat e mjaftueshme për t’u zgjedhur deputete në Kuvendin e Kosovës.

Por, pasi mori detyrën e ministres ka hequr dorë nga mandati i deputetes. Dhe pas rrëzimit të Qeverisë Kurti, ajo ka mbetur edhe jashtë Qeverisë edhe jashtë Kuvendit.