Foto: Facebook/ Mytaher Haskuka

Ish-ministrja kthehet në Prizren, merr në drejtim një drejtori komunale

Ish-ministrja e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal në Qeverinë Kurti, Emilija Rexhepi, kryetare e partisë NDS, që përfaqëson komunitetin boshnjak, do të rikthehet në Prizren.

Emilija Rexhepi në zgjedhjet e 6 tetorit 2019 kishte fituar votat e mjaftueshme për t’u zgjedhur deputete në Kuvendin e Kosovës.

Por, pasi mori detyrën e ministres ka hequr dorë nga mandati i deputetes. Dhe pas rrëzimit të Qeverisë Kurti, ajo ka mbetur edhe jashtë Qeverisë edhe jashtë Kuvendit.

Në një intervistë për KALLXO.com, ajo ka thënë se pas 12 vitesh aktivitet në Parlamentin e Kosovës do të rikthehet në Prizren, për t’u marrë me aktivitete në partinë e saj dhe për t’u përgatitur për zgjedhjet lokale që mbahen në vitin e ardhshëm.

Emilija Rexhepi ka raporte të mira me kryetarin e Prizrenit, Mytaher Haskuka. Gjatë kohës sa ishte ministre, ajo ishte takuar disa herë me të parin e Prizrenit dhe kishte premtuar investime.

Partitë e Haskukës (Lëvizja Vetëvendosje) dhe Rexhepit janë në koalicion bashkëqeverisës në nivel lokal që nga viti 2017, kur Mytaher Haskuka mori mandatin, ndërsa partia NDS drejton Drejtorinë për Gjeodezi dhe Kadastër në Komunën e Prizrenit dhe ka dy asamblistë në Kuvendin Komunal.

“Po, do të rikthehem në Prizren dhe në Komunën e Prizrenit do të marr Drejtorinë për Kulturë, Rini dhe Sport“, tha Emilija Rexhepi.

Haskuka në pjesën e mbetur të mandatit si kryetar i Prizrenit ka filluar me zëvendësimin e shumicës së drejtorëve dhe ka shkëputu koalicionin me LDK-në dhe KDTP-në, ndërsa kohë më parë ishte ndarë edhe nga Nisma Socialdemokrate.

Pesë nga 13 drejtoritë e Mytaher Haskukës kanë mbetur pa drejtorë. Disa prej tyre u shkarkuan e disa dhanë dorëheqje.

Por, kryetari Haskuka ka paralajmëruar edhe ndryshime të tjera. Sipas tij, nga 13 drejtori sa i ka Komuna e Prizrenit, dhjetë do të drejtohen nga drejtorë të rinj.

“Do të ketë emra të rinj, por edhe detyra të reja për drejtorët që mbesin në pozitat e tyre”,  ka thënë Haskuka në një intervistë për KALLXO.com.