Kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka - Foto: KALLXO.com

Mytaher Haskuka flet për qeverisjen dhe telashet në Prizren

Pjesën e mbetur të mandatit kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, duket se do ta bëjë i vetmuar në qeverisje, pasi me gjasë nuk do t’i ketë partnerët e koalicionit me të cilët e filloi drejtimin e Komunës.

Pesë nga 13 drejtoritë e Mytaher Haskukës kanë mbetur pa drejtorë. Disa prej tyre u shkarkuan e disa dhanë dorëheqje.

Por, kryetari Haskuka ka paralajmëruar edhe ndryshime të tjera. Sipas tij, nga 13 drejtori sa i ka Komuna e Prizrenit, dhjetë do të drejtohen nga drejtorë të rinj.

“Do të ketë emra të rinj, por edhe detyra të reja për drejtorët që mbesin në pozitat e tyre”, tha Haskuka për KALLXO.com.

Kryetari i Prizrenit ditë më parë kishte shkarkuar tre drejtorët që vinin nga radhët e LDK-së, ndërsa dje dy drejtorët kanë dhënë dorëheqje.

Menjëherë dje u njoftua se Agron Limani do të udhëheqë me Drejtorinë për Bujqësi, ndërsa edhe Visar Shehu, që kishte mbajtur pozitën e drejtorit të Shëndetësisë, do të largohet nga kjo Drejtori për të vazhduar me detyrën e nënkryetarit.

 

Funksionimi i mirëfilltë ndërmjet ekzekutivit dhe legjislativit ka qenë arsyeja e koalicionit të gjerë me LDK-në, Nismës Socialdemokrate dhe partitë minoritare në Prizren thotë Haskuka.

Mirëpo, Haskuka tashmë nuk e ka shumicën në Asamblenë Komunale pas ndërprerjes së koalicioneve me LDK-në, Nismën dhe KDTP-në partinë që përfaqëson komunitetin turk, andaj, sipas tij, këto koalicione nuk kanë kuptim të vazhdojnë tutje.

Kryesuesin e Asamblesë Komunale në Prizren e ka marrë PDK-ja që është në opozitë

Në një intervistë për KALLXO.com, Mytaher Haskuka ka sqaruar pse ka ardhur deri te ndryshimi i drejtorëve komunalë dhe ka treguar për qeverisjen dhe telashet në Komunën e Prizrenit.