Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Haradinaj: Viktima e radhës janë sipërmarrësit

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit ku po debatohet për shtrenjtimin e rrymës ka thënë se kur të hyn në fuqi liberalizimi i tregut, viktima e radhës janë sipërmarrësit.

Haradinaj tha se nuk ka shumë operator në treg dhe sipërmarrësit kanë me u detyrua me marrë cilindo çmim që jua ofron operatori.

“Shumë po mendoni që kanë shpëtua sipërmarrësit nga rritja e çmimit, jo nuk kanë shpëtu, së shpejti kur të hyn në fuqi liberalizimi i tregut, viktima e radhës janë sipërmarrësit dhe kanë me kalu shumë keq, sepse nuk ka shumë operator në treg dhe ata kanë me u detyru me marrë cilin çmim që ua ofron operatori dhe kjo është hilja. Për këtë arsye sipërmarrësit sot nuk janë në ngritje, në momentin që hyn në fuqi e drejta në liberalizim tregu, në atë moment do të jetë vetëm një operator që ka me ua diktu çmimin dhe viktima e radhës iu siguroj që kanë me qenë sipërmarrësit”, ka thënë Haradinaj.

Kryetari i AAK-së, ka thënë se qeveria ka hapësirë për ta shfuqizuar vendimin e ZRrE-së për rritjen e çmimit të energjisë elektrike.

“Në ditën kur kanë filluar tarifat e reja edhe pse vendimi është marrë, është detyrë e deputetëve që të diskutojnë. Ekzistojnë praktikat kur vendimet e institucioneve si rasti i ZRRE-së të shfuqizohen vendimet. Unë mendoj se sot ja vlen me ia bë një kërkesë qeverisë që ta shfuqizon vendimin e ZRRE-së për një kohë të caktume sepse jemi duke hyrë në pranverë dhe në dimrin që vjen ta diskutojmë se si do të veprojmë. Besoj se ka hapësirë për një vendim të tillë”, tha Haradinaj.

Kuvendi me kërkesë të tri partive opozitare po mbanë sot seancë të jashtëzakonshme debat parlamentar për vendimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji, për shtrenjtimin e rrymës.