Haradinaj takohet me zjarrfikësit, premton plotësimin e kërkesave të tyre

Kryeministri në largim i Kosovës, Ramush Haradinaj, është takuar sot me përfaqëuses të Sindikatës së Zjarrfikësve.

Në takim me sindikatën, Haradinaj tha se është folur për shqetësimet dhe kërkesat e tyre.

“Si Qeveri kemi punuar shumë në rregullimin e statusit të zjarrëfikësve, të lënë peng prej vitesh dhe kemi marrë vendime, në përmbushjen e kërkesave që kanë pasur, siç është ndarja e mjeteve prej 600 mijë eurosh për pagesën e orëve shtesë, puna në projekt-ligjin e ri të Financave të Pushtetit Lokal dhe rregullimi i shumës së rrezikshmërisë”, ka shkruar Haradinaj në ‘Facebook’, pas takimit.

Haradinaj gjithashtu tha se puna më e madhe për zjarrfikësit është bërë në Ligjin e ri për pagat, ku ata janë pozicionuar me paga meritore, ndërsa tash sipas Haradinajt, do të punohet për adresimin e të gjitha kërkesave të tjera.

“Zjarrëfikësit meritojnë respekt për punën e tyre në fushën e sigurisë dhe këtë respekt duhet ta adresojmë edhe në përmirësimin e gjithë infrastrukturës ligjore, për ta rikthyer ashtu siç e meritojnë, në një forcë nacionale”, thuhet në fund të postimit të Haradinajt në ‘Facebook’.