Haradinaj: Serbia po kërcënon vendet qe e kanë njohur Kosovën, kjo gjuhë i takon të kaluarës

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se Serbia është duke i kërcënuar shtetet që e kanë njohur Kosovën.

Përmes një postimi në Twitter, Haradinaj ka thënë se kjo gjuhë i takon të kaluarës.

“Serbia po flet me gjuhën e të fuqishmit dhe po kërcënon vendet e rajonit që e kanë njohur Kosovën dhe po paralajmëron edhe vendet e tjera që do ta njohin Kosovën. Kjo gjuhë i takon të kaluarës dhe kjo gjuhë i shkaktoi tragjeditë, plagët e të cilave ende i vuajnë popujt e Ballkanit”- ka shkruar ai.

Ministri serb i Mbrojtjes dhe kryetari i SNS-së, Millosh Vuçeviq, e ka akuzuar Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut për “ndërhyrje në punët e brendshme të Serbisë“ me njohjen e pavarësisë së Kosovës.

“Ju keni bërë një gabim dhe ky gabim do të ju përndjekë, sikur që e ka përndjekur secilin në rastin e Ukrainës që promovoi Kosovën si një shtet të pavarur. Ju e keni hapur ‘Kutinë e Pandorës’” – ka thënë Vuçeviq.