Haradinaj nga Klina: Unë kam përvojë në ballafaqim me Serbinë, i kryej punët pa i pyetur

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka vazhduar fushatën zgjedhore në Klinë.

Edhe në këtë qytet, Haradinaj bëri fushatë për President të ardhshëm të Kosovës, ai para përkrahësve tha se është personi i duhur për dialogun final me Serbinë për shkak të përvojës që ka.

“Ne duhet të jemi në gjendje që një ditë të themi “Bac u kry’, jemi në finale për të arritur këtë, kjo finale është me Serbinë pasi ajo po na bllokon. Unë kam përvojë në këtë ballafaqim sepse i bëjë disa punë pa i pyetur dhe u’a lehtësojë punën edhe atyre,” tha Haradinaj.

Haradinaj tutje para qytetarëve të Klinës  shpalosi një pjesë të programit ku theks të veçantë i dha pjesës për ekonominë.

“Ne e kemi vetëm një qëllim; ta forcojmë Kosovën, nuk kemi pasur qëllime tjera as para luftës, as pas saj. Qëllimi është një Kosovë e fortë dhe e qëndrueshme, që ka ekonomi e cila menjëherë do rritet, do hapen vende të reja pune. Paga minimale do jetë mbi 300 euro. Në programin tonë e respektojmë qytetarin dhe vendin, tek pjesa ndihma për qytetarin, 100 euro për çdo qytetarë rezidentë në Kosovë, një kartelë e veçantë, shpenzimet e së cilës orientohen në prodhimet vendore me vlefshmëri prej 60 ditësh, pra japim një kartelë me shumë të caktuar parash me të cilën ke të drejtë të blesh vetëm prodhime të Kosovës. Subvencion i pagës prej 80 për qind për tre muaj për secilin punëtor që kthehet në punë, pra kushdo që e kthen në punë një person që ka humbur vendin e punës, 80 për qind të pagës për tre muaj i paguan shteti. Nëse dikush e punëson një grua, ne paguajmë 50 për qind të pagës për tre muaj,” shtoi tutje Haradinaj

Për fund i pari i AAK-së theksoi se do subvencionojnë me 40 euro secilin fëmijë të regjistruar në parashkollor, në kopshte publike apo private.