Haradinaj: Marrëveshjet me Serbinë, forcim i sovranitetit të Kosovës

Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, pas mbledhjes së Qeverisë ka komentuar zhvillimet e fundit për disa marrëveshje me Serbinë dhe ndihmën e të dërguarit special të Trump për dialog, Richard Grenell.

Haradinaj këto dy marrëveshje i ka quajtur si ecje përpara për Kosovën.

“Të gjitha këto marrëveshje janë ecje përpara në atë se çka është Kosova, janë forcim i sovranitetit tonë, ju siguroj.  Ka një hezitim apo skepticizmit se s’jemi mësu me lajme të mira, mirëpo ka ardh një moment një energji e re e Grenell për dialogun dhe është e mirëseardhur për ne. Sa më shumë tema që na hekën me Serbinë aq më pak na mbetet, ajo më pak është njohja reciproke me kufijtë ekzistues”, ka thënë ai pas mbledhjes.

Sipas Haradinajt, do të vijë edhe dita kur do të ndodh një takim mes Kosovës dhe Serbisë, por jo si pjesë e dialogut.

“Shpresoj që të shfrytëzohet kjo kohë që të përgatitet kontrata për një marrëveshje për njohje reciproke në kufijtë ekzistues mes Kosovës dhe Serbisë, të vijë edhe dita që të ndodh një takim intensiv dhe jo një dialog i stërzgjatur si me Mogherinin deri në marrëveshje për njohje dhe është në interes tonin”, ka thënë kryeministri në detyrë.

“Unë mendoj që kjo energji e Grenell do të shfrytëzohet nga BE, dhe nga Berlini dhe zyrtar sepse një marrëveshje për njohje do të kërkon rolin e të gjithëve, por dakoridimin e SHBA-ve, BE-së. Shpresoj që do të bashkohet kjo energji që ta shkurtojmë kohën, disa po thojnë është marrëveshje e shpejtë, asnjëherë nuk mundet me qenë e shpejt mas 20 vite”, ka shtuar në fund Haradinaj.

Javën e kaluar është arritur marrëveshje për linjën ajrore Prishtinë-Beograd në Berlin me ndihmën e Richard Grenell.

Grenell po ashtu ka paralajmëruar edhe aktivizimin e linjës hekurudhore Prishtinë-Beograd. Ai është shprehur i vendosur që përpos linjave ajrore të shtyn përpara edhe hapjen e hekurudhave.

Publikohen emrat e ekipit negociator për marrëveshjen e linjës hekurudhore Prishtinë – Beograd

www.kallxo.com