Grenell në Serbi paralajmëron edhe linjë hekurudhore Prishtinë-Beograd

I dërguari i posaçëm i presidentit amerikan Donald Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ka paralajmëruar edhe aktivizimin e linjës hekurudhore Prishtinë-Beograd, pas marrëveshjes për atë ajrore që u arrit pak ditë më parë.

Ai është shprehur i vendosur që përpos linjave ajrore të shtyn përpara edhe hapjen e hekurudhave.

“Pasi bisedave që i kam bërë me të gjithë akterët në Prishtinë dhe tash pas bisedave në Beograd, të dyja palët janë pajtuar të aktivizohet  linja e hekurudhës Prishtinë Beograd. Detajet e kësaj linje duhet të përcaktohen me ekspertë”, ka thënë ai.

Lidhur me pyetjen nga KALLXO.com se pse ia merr mendja që kjo marrëveshje do të zbatohet, pasi që shumë të tilla që janë bërë deri më tash nuk janë zbatuar?

Grenell ka deklaruar se “është një dritare shumë e shkurtë nën presidentin Trump, gjatë së cilës të dyja palët do të duhej ta zbatonin këtë marrëveshje”.

“Ju mund të jeni skeptik kur shikoni se çfarë ka ndodhur në 20 vitet e fundit, por njerëzit janë lodh duke pritur, rinia e të dy vendeve po ikë, andaj është koha për qasje më pozitive”, është shprehu ai në konferencën në Beograd.

Sa i përket linjës ajrore Prishtinë-Beograd, Grenell ka thënë se qëllimi i tij është që ta shoh linjën ajrore të jetë funksionale sa më shpejt që është e mundur.

“Po mos harroni se secila kompani  që fillon një linje të re, qoftë ajo ‘British Air Waves’, ‘Lufthansa’ apo ‘Air Wings’, së pari duhet t’i bëjmë disa përgatitje për këtë linjë, e njëra prej këtyre përgatitjeve  është të bëhet publike e të reklamohen nisjet në mënyrë që t’i tërheqin njerëzit. Ky proces bëhet prej kompanive ajrore dhe ka mbet të zhvillohet tash e tutje”, ka thënë i dërguari i Trumpit.