Ramush Haradinaj - AAK

Haradinaj: Kriminelët e votës të përfundojnë në burg

Pas zhvillimeve të fundit në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), rreth numërimit të votave të 14 shkurtit, është mbledhur kryesia e kësaj partie.

Pas mbledhjes, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka thënë se kërkojnë që rastet e keqpërdorimeve me vota të hetohen dhe siç i ka quajtur ai “kriminelët e votës” duhet të përfundojnë në burg.

“Këtu falënderojmë shumë edhe komisionerët vëzhgues që kanë marrë pjesë në këtë proces zgjedhor, të gjitha institucionet. Por, po ashtu edhe ne jemi të shqetësuar me keqpërdorimet që kanë ndodhur në disa raste, nga disa komisionerë ose vëzhgues të pandërgjegjshëm dhe kërkojmë nga organet e rendit, të ligjit dhe hetuesisë, që kriminelët e votës të përfundojnë në burg., të të gjitha partive”, tha Haradinaj para selisë së partisë së tij në Prishtinë.

Kreu i AAK-së tha se kërkojnë rinumërim të plotë të votave nga zgjedhjet e 14 shkurtit.

“Për këtë arsye ne kërkojmë rinumërim të plotë të votave me prezencë të policisë, hetuesisë pra që të gjendet e vërteta”, theksoi ai.

Haradinaj ka shtuar se nuk sheh ndonjë arsye pse dikush mund të jetë kundër rinumërimit të votave.

“Ndërtimi i institucioneve duhet të bëhet sa më shpejt, pra ne nuk kontestojmë rezultatin zgjedhor, përqindjen tonë apo përqindjen e Vetëvendosjes, të LDK-së, të PDK-së apo partive tjera. Dhe nuk shoh pse dikush duhet me dalë kundër rinumërimit, përpos nëse fshehin keqpërdorime për të cilat nuk di opinioni”, theksoi ai.

Pas ankesave për manipulime me vota, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka urdhëruar rinumërimin e disa vendvotimeve për votat e deputetëve, përfshirë votat që ka marrë AAK-ja.

Pas akuzave brenda AAK-së, Meliza Haradinaj-Stublla, ka dhënë dorëheqje nga kjo parti, ashtu si edhe nga pozita që mbante, ajo e ministres në detyrë të Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

Ndërkaq, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, më 9 mars, ka ndaluar dy persona me inicialet A.K dhe S.M, për shkak të dyshimit se të njëjtit kanë kryer veprat penale “keqpërdorimi i detyrës zyrtare gjatë zgjedhjeve” dhe “dhënia apo marrja e ryshfetit në lidhje me votimin”.

Vjedhje e votave e marrje ryshfetit, arrestohen dy persona