Ramush Haradinaj, Foto:Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Facebook

Haradinaj i përgjigjet letrës së Krasniqit, nuk ndryshon qëndrim për zgjedhjet

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, i ka kthyer përgjigje kryetarit të PDK-së, Memli Krasniqi, pas letrës që ky i fundit i ka dërguar tri ditë më parë, më 24.05.2024.

Haradinaj ka thënë se Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës mbetet me qëndrimin që Qeveria duhet të dorëhiqet ose të shkarkohet, e jo të “amnistohet me vet-shpërndarje të Kuvendit”.

Krasniqi në letrën e tij kishte propozuar datat 30 qershor ose 7 korrik për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, duke i konsideruar ato si të domosdoshme. Për të arritur këtë, ai kishte thënë se mocioni procedural për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës do të duhej të votohej më së largu deri më 29 maj.

I pari i AAK-së është shprehur i gatshëm për takime të rregullta me opozitën, por nuk është pajtuar me idenë e Krasniqit për mbajtjen e zgjedhjeve.

“Sa i përket kërkesës tuaj në letrën e dërguar më 24 maj 2024, Aleanca vlerëson se fajtor për gjendjen e krijuar në vend është kryeministri Albin Kurti dhe Qeveria e tij” – ka shkruar Haradinaj në letrën e tij.

Sipas tij, rrugëdalja e vetme nga kriza në vend është një platformë e përbashkët për qeverisje, pa Kurtin, i cili sipas Haradinajt është fajtor për gjendjen e krijuar, bashkë me Qeverinë të cilën e udhëheq.

Partitë opozitare ka kohë që kërkojnë mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, por ende nuk po arrijnë të pajtohen për të thirrur një seancë parlamentare për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës.

Kryeministri Kurti më 13.05.2024 ka zhvilluar një takim edhe me kreun e PDK-së, Memli Krasniqi.

Në takimin treorësh, Kurti dhe Krasniqi kishin konfirmuar se temë e diskutimeve ishte edhe çështja e zgjedhjeve të reja të parakohshme.

I pari që doli para mediave ishte kryetari i PDK-së, i cili tha se në takim i ka shprehur kryeministrit Kurti domosdoshmërinë e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Ai theksoi se është i gatshëm të gjejë një dakordim me të gjitha partitë për një datë të re të zgjedhjeve dhe për të shpërndarë Kuvendin përmes një mocioni të përbashkët.

Ndërsa, Kurti tha se është i interesuar që ta diskutojë edhe me Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, se cila është koha më e përshtatshme për zgjedhjet. Kreu i ekzekutivit theksoi se i ka ftuar të gjitha partitë për të diskutuar rreth kësaj teme dhe se do të insistojë të takohet edhe me pjesën tjetër të opozitës, që atë ditë nuk i janë përgjigjur pozitivisht ftesës së tij.

Deklaratat pas takimit Kurti-Krasniqi ngjallën reagimin e dy partive tjera opozitare, AAK dhe LDK.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj tha se partia e tij do e mbështeste shpërndarjen e Kuvendit vetëm pas dorëheqjes apo shkarkimit të Kurtit.

Edhe LDK në një komunikatë për media u shpreh se është e gatshme për zgjedhje të parakohshme në Kosovë, por ata kërkojnë fillimisht dorëheqjen e kryeministrit Kurti dhe pastaj shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës.

Seanca e Kuvendit të Kosovës në të cilën pritej të paraqitej rezoluta e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, përmes të cilës do të kërkohej shkarkimi apo dorëheqja e Qeverisë që drejtohet nga kryeministri Albin Kurti, e paraparë për t’u mbajtur më 24.05.2024, është shtyrë për një datë tjetër.

Seanca që nuk zgjati as pesë minuta u shtye për shkak të pranisë së një numri të vogël deputetësh në sallë.

Ndërkaq, Kuvendi i Kosovës nuk do të mbajë seanca plenare gjatë kësaj jave dhe as gjatë javës së ardhshme.