Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
LDK i përgjigjet letrës së PDK-së: Përgjigjen ia kemi kthyer ideatorit të vërtetë të kësaj nisme, Albin Kurtit
Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar në lidhje me letrën e kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, pasi ky i fundit iu drejtua krerëve të partive parlamentare duke theksuar domosdoshmërinë e mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme të parakohshme.
Zëdhënësi i LDK-së dhe njëherit deputet i kësaj partie, Besian Mustafa në një përgjigje për KALLXO.com tha se, përgjigjen dhe qëndrimin ia kanë kthyer tashmë “ideatorit të vërtetë” të kësaj nisme, kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtit.
“Përgjigjen dhe qëndrimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës ia kemi kthyer tashmë ideatorit të vërtetë të kësaj nisme, kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje z.Albin Kurtit”- tha shkurt Mustafa në një përgjigje për KALLXO.com.
KALLXO.com ka kontaktuar edhe me partitë tjera parlamentare; Lëvizjen Vetëvendosje dhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, për të marrë një qëndrim lidhur me letrën e kreut të PDK-së. Deri në publikimin e këtij artikulli, ata nuk kanë kthyer përgjigje.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka deklaruar se vendimi që do ta çonte vendin në zgjedhje është dorëheqja e kryeministrit Albin Kurti.
“Meqenëse vullneti është i tij, ne jemi larg një vendim të zgjedhjeve. E vendimi i vetëm është dorëheqja, më pas bëhet shpërbërja”- ishte shprehur Abdixhiku në emisionin televiziv Pressing.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi u ka dërguar letër krerëve të partive parlamentare; kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, si dhe kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.
Përmes kësaj letre Krasniqi thotë se ka ritheksuar qëndrimin e PDK-së për nevojën e mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme të parakohshme.
Kreu i PDK-së thotë se i ka propozuar datat 30 qershor ose 7 korrik për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme. Sipas tij, për të arritur njërën nga këto data, mocioni procedural për shpërndarjen e Kuvendit duhet të votohej më së largu deri më 29 maj.
Partitë opozitare ka kohë që kërkojnë mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, por ende nuk po arrijnë të pajtohen për të thirrur një seancë parlamentare për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës.
Kryeministri Kurti, më 13.05.2024, ka zhvilluar një takim edhe me kreun e PDK-së, Memli Krasniqi.
Në takimin tre orësh, nga Kurti dhe Krasniqi u konfirmua se temë e diskutimeve ishte edhe çështja e zgjedhjeve të reja të parakohshme.
I pari që doli para mediave ishte kryetari i PDK-së, i cili tha se në takim i ka shprehur kryeministrit Kurti domosdoshmërinë e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Ai theksoi se është i gatshëm të gjejë një dakordim me të gjitha partitë për një datë të re të zgjedhjeve dhe për të shpërndarë Kuvendin përmes një mocioni të përbashkët.
Ndërsa, Kurti tha se është i interesuar që ta diskutojë edhe me Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, se cila është koha më e përshtatshme për zgjedhjet. Kreu i ekzekutivit theksoi se i ka ftuar të gjitha partitë për të diskutuar rreth kësaj teme dhe se do të insistojë të takohet edhe me pjesën tjetër të opozitës, që atë ditë nuk i janë përgjigjur pozitivisht ftesës së tij.
Deklaratat pas takimit Kurti-Krasniqi ngjallën reagimin e dy partive tjera opozitare, AAK dhe LDK.
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj tha se partia e tij do e mbështeste shpërndarjen e Kuvendit vetëm pas dorëheqjes apo shkarkimit të Kurtit.
Edhe LDK, në një komunikatë për media u shpreh se është e gatshme për zgjedhje të parakohshme në Kosovë, por ata kërkojnë fillimisht dorëheqjen e kryeministrit Kurti dhe pastaj shpërbërjen e Kuvendit të Kosovës.
Ndërkohë, seanca e Kuvendit të Kosovës në të cilën pritej të paraqitej rezoluta e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, përmes të cilës do të kërkohej shkarkimi apo dorëheqja e qeverisë që drejtohet nga kryeministri Albin Kurti, e paraparë për t’u mbajtur më 24.05.2024, është shtyrë për një datë tjetër.
Krasniqi u dërgon letër krerëve të partive parlamentare: Zgjedhjet e reja janë domosdoshmëri