Kusari-Lila: Me aq pak deputetë në sallë është e paimagjinueshme të pritet shpërndarja e Kuvendit

Kryetarja e Grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari- Lila ka deklaruar se është e paimagjinueshme të pritet shpërndarja e Kuvendit të Kosovës, derisa për debatin për punën e Qeverisë kishte aq pak deputetë në sallë.

Ajo theksoi se Kuvendi mund të shpërndahet vetëm nëse ka vullnet të grupeve parlamentare.

“Është paska e paimagjinueshme të pritet shpërndarja e Kuvendit, kur për debat për tri vjet të qeverisë ka aq pak deputetët në sallë, e lërë me të mendohet për një situatë e cila do të nënkuptonte përfundimin e punës së Legjislaturës së tetë”- u shpreh Kusari-Lila.

Seanca e Kuvendit të Kosovës në të cilën pritej të paraqitej rezoluta e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, përmes të cilës do të kërkohej shkarkimi apo dorëheqja e qeverisë që drejtohet nga kryeministri Albin Kurti, është shtyrë për një datë tjetër.

Rezoluta e AAK-së, parashihte që pas dorëheqjes ose shkarkimit të Qeverisë, të shpërndahej edhe Kuvendi i Kosovës.

Qeveria e Kosovës u votua më 22.03.2021 në Kuvendin e Kosovës, me 67 vota për, 30 kundër dhe asnjë abstenim, ndërsa ekzekutivi që drejton Albin Kurti ka tre zëvendëskryeministra dhe 15 ministri.

Në anën tjetër, partitë opozitare ka kohë që kërkojnë mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, por ende nuk po arrijnë të pajtohen për të thirrur një seancë parlamentare për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës.

Nuk shqyrtohet rezoluta për dorëheqjen ose shkarkimin e Qeverisë, shtyhet seanca e thirrur nga AAK