Haradinaj: AAK respekton vendimin e Gjykatës Kushtetuese

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradnaj, ka thënë se partia e tij e pranon vendimin e djeshëm të Gjykatës Kushtetuese që pezulloi dekretin e Presidentit që e nominoi Avdullah Hotin për kryeministër.

LDK paraprakisht kishte arritur marrëveshje edhe me AAK-në për koalicion bashkëqeverisës.

“Të gjithë i obligohemi institucioneve, pra edhe institucionit të gjyqësorit, edhe të Gjykatës Kushtetuese. Aleanca respekton vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe sillet në përputhje të plotë me këtë vendim, duke zbatu përgjegjësit politike. Ne respektojmë në përpikëmëri vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, tha Haradinaj të shtunën para gazetareve.

Gjatë një konference për media, ai ka folur edhe për 20 vjetorin e AAK-së.

“AAK ka qenë pjesëmarrëse në të gjitha proceset në të cilat ka kaluar Kosova. Aleanca ka qëndruar fuqishëm duke u rreshtuar në parimet properëndimore. Ajo ka udhëhequr në dy mandate me qeverinë e Kosovës”, tha mes tjerash Ramush Haradinaj.