Hajrije Morina: Nuk kemi ankesa për cilësi të ujit, qytetarët ankohen për faturime jo të sakta

Hajrije Morina nga Autoriteti Rregullator i Ujërave (ARU) thotë se deri tani nuk kanë marrë ankesa nga qytetarët për cilësi të ujit.

Morina në emisionin “Kallxo Përnime” tha se ankesat në këtë institucion janë kryesisht për faturime jo të sakta.

“Deri tani si Autoritet Rregullator i Ujërave nuk kemi pasur ankesa për cilësi të ujit, kryesisht kemi ankesa për shkak të faturimit jo të saktë. Ne nuk kemi përgjegjësi direkte sa i përket cilësisë së ujit”, ka thënë Morina.

Morina potencoi se qytetarët mund të ankohen në ARU për cilësi të ujit nëse kompanitë e ujësjellësit nuk u përgjigjen ose nuk janë të kënaqur me përgjigjen.

Ajo më tej theksoi se si Autoritet përcaktojnë edhe çmimin e tarifave për shërbime të ujit.

“Autoriteti rregullator i shërbimeve të ujit si autoritet i pavarur përcakton edhe çmimin e tarifave për shërbime të ujit dhe sigurohemi që konsumatorët marrin shërbim të cilësisë për të qenë të sigurt që shëndeti i tyre nuk është në rrezik”, ka  thënë Morina.