Burbuqe Nushi-Latifi: Cilësia e ujit në Kosovë është fenomenale

Burbuqe Nushi-Latifi nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik (IKSHPK) ka thënë se cilësia e ujit në Kosovë është fenomenale.

Ajo në emisionin “Kallxo Përnime” potencoi se uji në Kosovë i përmbush standardet e direktivës evropiane.

“Cilësia e ujit në Kosovë është fenomenale, i përmbush standardet e parapara me udhëzim administrativ. Qendra e ujit në IKSHPK bën monitorimin e përputhshmërisë të cilësisë së ujit. Deri në dhjetor 2021 ka qenë në fuqi udhëzimi paraprak 16/2012 i cili në realitet e bën transpozimin e direktivës evropiane për ujin”, ka thënë Nushi-Latifi.

Sipas saj, përputhshmëria e përgjithshme e matjeve tregon se 99.12% e ujit është brenda standardeve,

“Përputhshmëria bakteriologjike në nivel të Kosovës tregon se 99,38% i përmbush standardet, përputhshmëria kimike është 98,78%, prej 66 mijë matjeve që janë bërë në nivel vendi. Derisa, përputhshmëria e përgjithshme është 99.12% që i përmbush standardet”, shtoi Nushi-Latifi.