Xhafa: Brenda impianteve të ujit kemi laboratorët që kontrollojnë në kohë reale cilësinë e ujit

Sokol Xhafa, ushtrues detyre i kryeshefit në Ujësjellësin rajonal “Prishtina”, ka thënë se përpos laboratorit qendror edhe brenda impianteve janë laboratorët që kontrollojnë cilësinë e ujit.

Ai në emisionin “Kallxo Përnime” tha se për ujin që merret në kroje, laboratori qendror merr mostra nëpër zona të ndryshme.

“Përpos pjesës së laboratorit qendror ku bëhet monitorimi i gjithë zonës së shërbimit, ne i kemi edhe brenda impianteve laboratorët që kontrollojnë në kohë reale cilësinë e ujit. Mirëpo nëse flasim për ujin që e konsumojnë konsumatorët në krojet e tyre, është laboratori qendror që punon gjashtë ditë në javë dhe merr mostra nëpër qytet, me fokus të veçantë çerdhet, shkollat, spitalet, pra aty ku konsumi është më i përqendruar. Ndërsa, monitorimin e jashtëm apo kontrollimin e bën IKSHPK”, ka thënë Xhafa.

Xhafa tutje shtoi se impianti i ujit në Shkabaj ka senzorë në hyrje dhe dalje për matje të cilësisë së ujit.

“Impianti i ujit në Shkabaj ka senzorë të matjes së cilësisë në hyrje (fshati Mihaliq) dhe dalje, përveç kësaj, pasi senzorët mund të dalin nga kalibrimi, bëhet edhe kontrollimi manual çdo 1-2 orë nga mostruesi i cili qëndron 24 orë në impiant”, shtoi tutje Xhafa.

Ujësjellësi Rajonal “Prishtina” ka në menaxhim liqenet e Badovcit dhe Batllavës.