Lajçi: Çështja e mirëmbajtjes së rezervuarëve të ujit nuk është e rregulluar si duhet

Afrim Lajçi nga Qeveria e Kosovës ka thënë se çështja e rezervuarëve të ujit nuk është e rregulluar si duhet.

Ai në emisionin “Kallxo Përnime” theksoi se çdo rezervuar duhet të jetë i aprovuar nga kompania e ujësjellësit dhe të mirëmbahet sipas standardeve.

“Aty ku konsumatori konsumon ujin, duhet të jetë brenda standardeve. Puna e rezervuarëve ka mbetur një zonë e hirtë, nuk është e rregulluar ashtu si duhet sepse, parimisht çdo rezervuar duhet të jetë i aprovuar nga kompania e cila furnizon me ujë dhe të ndërtohet e mirëmbahet sipas standardeve sepse mund të afektojë ujin e pijshëm”, ka thënë Lajçi.

“Ky problem nuk është adresuar siç duhet nga institucionet përkatëse, unë thjesht shpresoj që meqenëse kemi stabilizim të furnizimit me ujë, këta rezervuarë do dalin prej funksionit”, shtoi tutje ai.

Lajçi potencoi se mirëmbajtësit e ndërtesave do i rekomandonte t’i largonin rezervuarët e ujit.

Sipas tij, katet e larta në ndërtesa ankohen për mungesë uji pasi ka shumë keqpërdorim gjatë verës.

“Unë mirëmbajtësit e ndërtesave do i rekomandoja t’i largonin pasi furnizimi me ujë është stabil në shumicën e vendeve. Katet e larta të ndërtesave ankohen pasi gjatë periudhës së verës ka keqpërdorim masiv të ujit të sistemit dhe këtu imponohet për kompanitë që të jenë më të pranishme në teren. Ky është shkaktari i vetëm”, shtoi më tej Lajçi.