Grushtet në Kuvend, Prokuroria e Prishtinës deri tash ka dëgjuar Besnik Bislimin dhe Hekuran Muratin

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi dhe ministri i Financave, Hekuran Murati, janë dëgjuar nga Prokuroria e Prishtinës gjatë ditës së sotme pas grushteve që u shpërndanë sot në seancën e Kuvendit të Kosovës.

Prokurorja e rastit, Nebahate Salihu, në një bisedë shkurt për KALLXO.com ka konfirmuar se deri më tani ka dëgjuar dy persona për këto ngjarje, Bislimin dhe Muratin, por nuk tregoi se në cilën cilësi ka intervistuar ata.

“Po qata thash, i kemi dëgju, Besnik Bislimin dhe Hekuranin”- tha prokurorja Salihu.

Tutje ajo konfirmoi për KALLXO.com edhe se ftesë për t’u paraqitur dhe për të dhënë intervistë para saj u ka bërë edhe deputetëtëve nga Partia Demokratike e Kosovës, Mërgim Lushtakut dhe Hajdar Beqës.

“I kemi thirrë katër persona. Po de, po tash aty i kemi dëgju. Po qata thash, e kemi dëgju, Besnik Bislimin dhe Hekuranin”- tha ajo tutje për KALLXO.com.

Sipas prokurores Salihu, Lushtaku e Beqa do të dëgjohen ditëve në vijim.

Gjatë kohës sa po mbante fjalim kryeministri Albin Kurti në Kuvend ka ndodhur një përplasje fizike.

E gjithë kjo nisi kur deputetja e PDK-së Ganimete Musliu vendosi një foto në foltoren e Kuvendit, përderisa Kurti po deklarohej, një fotografi të kreut të ekzekutivit më hundë të gjatë.

Më pas zëvendëskryeministri Besnik Bislimi është ngritur nga karrigia e tij dhe ka grisur fotografinë.

Pas këtij veprimi, deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku i cili hodhi ujë në drejtim të kryeministrit Kurti dhe zëvendëskryeministrit Bislimi.

Në mbrojtje të kryeministrit doli ministri i Financave, Hekuran Murati.

Lushtaku shihet duke e shtyrë fizikisht ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiun. Ndërkaq deputeti i PDK-së, Hajdar Beqaj shihet duke goditur fizikisht ministrin Murati.

Ndërsa shihet duke e goditur dikë edhe zëvendëskryeministri Besnik Bislimi.

Pas kësaj, kanë ndërhyrë edhe deputetë tjerë të LVV-së e të PDK-së.

Mbrojtja e afërt e kryeministrit Kurti ka reaguar menjhëherë duke siguruar atë.

Kjo shkaktoi që më pas edhe mbrojtja e Kurtit të hyjë brenda sallës së Kuvendit, përderisa kryeparlamentari, Glauk Konjufca u ka bërë thirrje Policisë së Kosovës që të shkojë në sallë dhe të ndërhyjë.

Kuvendi ka ndërprerë transmetimin e drejtpërdrejtë ndërsa më pas u kërkua edhe një pauzë.

Edhe pjesa tjetër e seancës nisi me tensione.

Sërish ka pasur tensione në Kuvendin e Kosovës, pasi deputetë të partisë në pushtet dhe opozitës kanë filluar të shtyhen mes vete, kur Kuvendi vazhdoi një seancë të jashtëzakonshme të thirrur nga Lëvizja Vetëvendosje.

Kryeparlamentari i Kosovës, Glauk Konjufca është gjuajtur me shishe.

Në nisje të seancës deputetët e PDK-së, kanë sjellë pankarta të mëdha me fotografitë e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe shefes së deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ku duken me hundë të madhe e me mbishkrimin “Zdravo” [Përshëndetje, në gjuhën serbe].

Kjo si revoltë e opozitës ndaj pushtetit, pas publikimit të disa audio-incizimeve ku dëgjohet shefja e deputetëve të LVV, Mimoza Kusari-Lila në një bisedë me ish-deputetin e Listës Serbe, Slavko Simiq, në qershor të vitit të kaluar.

Gjatë ditës së sotme vet deputeti Lushtaku konfirmoi se është ftuar për intervistim në cilësinë e të dyshuarit për veprën penale të sulmit.