Greva e minatorëve në Trepçë. Foto: KALLXO.com.

Greva e minatorëve në Trepçë përkrahet nga kryetari i Sindikatave të Bashkuara të Shqipërisë - VIDEO

Kryetari i Sindikatave të Bashkuara të Shqipërisë (BSPSh), Gëzim Kalaja i ka dalë në përkrahje minatorëve të Trepçës.

Sipas tij kërkesat e minatorëve janë të drejta dhe duhet të merren parasysh nga institucionet shtetërore.

“Kërkesat e juaja janë të drejta, dhe se qeveria dhe politika e Kosovës, parlamenti, ka për detyrim të ulet në dialog me ju për të zgjidhur problemet që kërkojnë minatorët e Trepçës dhe sindikata e Trepçës”- tha ai.

“S’jeni këtu për rrëzimin e qeverisë, por për probleme sociale. Jeni për pagat e juaja jeni për kushtet që keni në miniera, jeni për menaxhmentin që është i korruptuar në 3 kërkesat që keni qeveria duhet të filloj dialogun. I bëjë thirrje bashkimit të sindikatave të pavarura të Kosovës që të jetë çdo ditë me minatorët e Trepçës, të sensibilizohet situata në të gjithë territorin e Kosovës”- shtoi ai.

Sot është dita e 3-të e grevës për minatorët në minierën e Trepçës. Tek disa prej tyre janë shfaqur edhe shqetësime shëndetësore.

Minatorët në minierën e Stantërgut  kanë hyrë në grevë duke kërkuar plotësimin e tri kërkesave: Realizimi i pagës mujore me kohë nga data: 6–10 [në fillim të çdo muaji]; Shkarkimi i menaxhmentit (kryeshefit) dhe sigurimi shëndetësor dhe kushtet e punës.

Ndërkohë, mbrëmë, njëri nga minatorët u dërgua për trajtim mjekësor pasi iu përkeqësua gjendja shëndetësore gjatë grevës.

Në anën tjetër, menaxhmenti i “Trepçës”, grevën e konsideron joligjore dhe thotë se minatorëve u janë rritur pagat mbi nivelin e pagave të minatorëve të minierave në rajon (Shqipëri, Maqedonia e Veriut).

Mbi 50 orë grevë në Trepçë, rëndohet gjendja shëndetësore e minatorëve – FOTO