Grabitet një bankomat në Rrugën B, të dyshuarit gjuajtën me eksploziv dhe armë

 

Disa persona të panjohur kanë grabitur një bankomat të një banke në Rrugën B, në Prishtinë.

Flora Ahmeti, zëdhënëse e Policisë së Kosovës, ka thënë se grabitja është realizuar rreth orës 05:30, duke dëmtuar bankomatin me një mjet shpërthyes (eksploziv).

Sipas saj, personat e dyshuar duke ikur nga vendi i ngjarjes kanë shtënë edhe me armë zjarri në drejtim të një rojës së objektit.

“Nuk raportohet për persona të lënduar”, theksoi ajo.

“Menjëherë pas marrjes së këtij informacioni strukturat rajonale për hetimin e krimit me një intensitet të shtuar kanë filluar ndërmarrjen e një varg veprimesh operative dhe hetimore. Derisa ekzaminimi po vazhdon në vendngjarje, hetuesit policor janë duke punuar në identifikimin dhe arrestimin e personave të dyshuar”, shtoi ajo.