Gjyqtari amerikan u hoq nga gjykimi i çështjeve penale pasi shfuqizoi dënimin për sulm seksual

Një gjyqtar nga llinois i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i cili shfuqizoi dënimin e një djali për sulm seksual, është hequr nga gjykimi i çështjeve penale, raporton BBC.

Në vitin e kaluar gjyqtari i qarkut Adams, Robert Adrian e shpalli 18-vjeçarin, Drew Clinton fajtor për sulm seksual ndaj një 16-vjeçareje.

Clinton u përball me një dënim minimal prej katër vitesh burgim mirëpo, gjyqtari Adrian tha se 148 ditë të kaluara në burg nga Clinton mjaftojnë si dënim.

Përmbysja e vendimit nga Adrian gjatë një seance dëgjimore të mbajtur në janar, shkaktoi reagime të menjëhershme nga avokatët e të mbijetuarve të sulmeve seksuale dhe vajzën 16-vjeçare që kishte raportuar sulmin.

“Ai më bëri të dukesha sikur luftova për asgjë dhe se fjalët e mia nuk kishin arsyje”, ka thënë vajza për stacionin lokal WGEM-TV.” Më është dashur të largohem menjëherë nga salla e gjyqit dhe të shkoj në tualet, sepse po qaja”.

Sipas dokumenteve të gjykatës, 16-vjeçarja raportoi se Clinton e kishte sulmuar seksualisht pasi ajo u deh në një festë. Në gjyq, ajo dëshmoi se ishte pa ndjenja dhe u zgjua nga një jastëk që ia mbulonte fytyrën dhe Clinton po e sulmonte atë.

Më 15 tetor, Clinton u shpall fajtor për një nga tre akuzat. Akuza kishte një dënim minimal të detyrueshëm prej katër vjetësh burgim.

Gjyqtari Robert Adrian kishte theksuar se Clinton posa kishte mbushur 18 vjet, nuk kishte të kaluar kriminale dhe gjithashtu ka kritikuar prindërit të cilët kishin lejuar përdorin e alkoolit në festë.

Avokati mbrojtës i Clintonit, Andrew Schnack, ka thënë për “New York Times” se dënimet e detyrueshme i heqin gjykimin gjyqtarit dhe se dënimet duhet të gjykohen në baza individuale.

Organizata Kundër Abuzimit në Familje e cila mbështet viktimat dhe të mbijetuarit e dhunës në familje dhe seksuale, e quajtën vendimin e gjykatësit Adrian si “një mesazh rrëqethës viktimave të tjera të përdhunimit”.

“Mesazhi është i qartë: nëse jeni të përdhunuar, shmangni gjyqtari Adrian”, ka thënë organizata.