Prokuroria tërhiqet nga dëgjimi i njërit dëshmitar në rastin e ish- gjyqtarit Sali Berisha

 

Prokuroria Speciale është tërhequr nga dëgjimi i dëshmitarit Z.S. në rastin e ish gjyqtarit Sali Berisha, i cili po akuzohet për marrje ryshfeti dhe armëmbajtje pa leje.

Menjëherë pas përfundimit të dëshmisë nga Visar Shala, prokuroria njoftoi gjykatën që tërhiqet nga dëgjimi i dëshmitarit Z.S., pasi që Shala në dëshminë e tij për këtë rast vërtetoi se një pjesë e deklaratës së F.Z. e dhënë në gjykatë është e pa vërtetë dhe e pa saktë.

Sipas prokurorisë as Shala e as ndonjëri nga kolegët e tij nuk kishin kërkuar nga F.Z. nënshkrimin e ndonjë deklarate siç kishte deklaruar F.Z.

Përndryshe sot Z.S.  ishte paraparë që të jepte dëshminë e tij në lidhje me këtë rast, por për arsye shëndetësore i njëjti nuk është paraqitur në gjykatë.

Shala në fund të dëshmisë së tij shtoi që hetimi i këtij rasti është bërë karshi dispozitave ligjore në mënyrën më të mirë të mundshme.

“Rasti në fjalë është hetuar në mënyrën më të mirë të mundshme sipas ligjit”- tha Visar Shala.

Në këtë seancë u paraqitën dëshmitarët nga ana e mbrojtjes së Sali Berishës, të cilët dëshmitarë pritet të japin dëshminë e tyre më datë 8 dhe 9 nëntor të këtij viti.

Kujtojmë që në qershor të vitit 2021, Gjykata e Prishtinës e kishte konfirmuar aktakuzën e ngritur nga Prokuroria, ndaj gjyqtarit Sali Berisha, i cili akuzohet për marrje të ryshfetit dhe armëmbajtje pa leje.

Të pakënaqur me vendimin e Gjykatës së Prishtinës, Sali Berisha, përmes mbrojtësit të tij kishte ushtruar ankesë në Gjykatën e Apelit.

Gjykata e Apelit kishte vërtetuar vendimin e Gjykatës së Prishtinës, me anë të të cilit ishte konfirmuar aktakuza e ngritur ndaj gjyqtarit Sali Berisha.

Sipas Prokurorisë, më 19 shtator 2019, i akuzuari Sali Berisha ishte takuar me dëshmitarin F.Z., me të cilin kanë shkuar te vetura e dëshmitarit dhe pasi kanë hyrë brenda, i akuzuari ka pranuar nga dëshmitari shumën e parave në vlerë prej 2 mijë eurove.

Gjithnjë sipas Prokurorisë, për shkak se i akuzuari ishte dakorduar me dëshmitarin, që në një rast ku i akuzuar për dy vepra penale të kontrabandimit me emigrantë, ishte vëllai i dëshmitarit F. Z., në të cilin rast i pandehuri Sali Berisha ishte kryetar i trupit gjykues, ishte dakorduar që të njëjtit t’i shqiptojë dënim të favorshëm, me ç ‘rast Berisha ka marrë aktgjykimin me të cilin i ka shqiptuar dënim të kushtëzuar me burg prej 3 vjet, me kusht që brenda 2 viteve të mos kryej vepër tjetër penale.

Po ashtu, Prokuroria akuzon gjykatësin Sali Berisha se deri më 19 shtator 2019 ka mbajtur armë, në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm, një revole të tipit ‘Zaza Mini’, kalibri 8mm, së bashku me 10 fishekë, e cila është gjetur kur i është bastisur banesa në Pejë.

Gjykatësi Sali Berisha, në dhjetor të vitit 2019, pas 3 muajve të qëndrimit në paraburgim, ishte liruar për të qëndruar në arrest shtëpiak.