Ish-gjyqtari i akuzuar për ryshfet edhe sot vazhdoi me dhënien e mbrojtjes

Në gjykatën e Prishtinës ka vazhduar gjykimi me dhënien e mbrojtjes nga ish gjyqtarit Sali Berisha, i akuzuar për marrje ryshfeti e armëmbajtje pa leje.

Dhënia e mbrojtjes për këtë rast nga Berisha kishte filluar në seancën e kaluar e cila ishte mbajtur një javë me parë.

Ish-gjyqtari Berisha mbrojtjen e tij e vazhdoi duke treguar se sa kishte qenë gjyqtar në Gjykatën e Pejës, me t`u pensionuar një gjyqtare në vitin 2013, lëndët e saj i kishte trashëguar tek ky i fundit.

E me trashëgimin e lëndëve, të njëjtit i ishte ndarë edhe lënda ku ishte gjykuar personi me inicialet M. Z., i njëjti ishte dënuar me burgim me kusht.

Në pyetjen e mbrojtësit të tij Besnik Berisha, se me prokuroren në rastin ku ishte gjykuar F. Z, a keni pas ndonjë marrëveshje të çfarëdo lloji, që ajo të mos apeloj vendimin kundër F. Z., ish-gjyqtari u përgjigj që nuk ka pas asnjë marrëveshje për mos apelim të vendimit.

“Nuk ka pas asnjë marrëveshje me prokuroren që të mos apeloj vendimin”- u përgjigj Sali Berisha.

Por i njëjti pohoi që të ketë dijeni nga shkresat e lëndës se prokurorja e këtij rasti Valbona Disha-Haxhosaj ishte proceduar si dëshmitare për rastin ku Berisha është i akuzuar.

Dhe se për këtë ishte vënë në dijeni nga shkresat e lëndës.

Gjyqtari tutje rrëfimin për mbrojtjen e tij e vazhdoi duke treguar se në vitin 2019 ju kishte nënshtruar procesit të vlerësimit të performancës si gjyqtar.

I njëjti tregoi që ishte vlerësuar në atë kohë me notën 9.0 anipse me kryetaren e komisionit për vlerësim kishte një lloj fërkimi.

“Është poentu me 9.0, edhe përkundër një kontesti që e kam pas me kryetaren e komisionit për shkak se e ka lyp edhe orarin e gjykimeve, e në kohën kur ajo ka ardhur në një gjykim të caktuar që ajo e ka vlerësuar për me ardhë, ajo ka ardhë ditën e dytë të gjykimit ndërsa gjykimi ka përfunduar në ditën e parë me tërheqjen e prokurorit nga aktakuza dhe këtu kemi pas fërkim me të sepse nuk më ke njoftuar (ka thënë ajo) por unë i kom deklaruar se nuk më keni thanë që nëse ndryshon orari për me ju njoftu, edhe përkundër atij fërkimi me të vlerësimi ka qene 9.0”- tha ish-gjyqtari.

Tutje Berisha tha që ndaj tij nuk ishte zhvilluar asnjëherë procedurë disiplinore në periudhën kur ka shërbyer si gjyqtar qoftë për kundërvajtje qoftë si gjyqtar në gjykatën e qarkut.

Seanca e sotme u ndërpre pas kërkesës së mbrojtësit të ish-gjyqtarit Sali Berisha, Besnik Berisha për arsye personale si dhe për arsye shëndetësore të të akuzuarit.

Seanca e radhës me dhënien e mbrojtës për këtë rast do të vazhdoj me datën 27 shkurt dhe 7 mars të këtij viti.

 

 

Kujtojmë që në qershor të vitit 2021, Gjykata e Prishtinës e kishte konfirmuar aktakuzën e ngritur nga Prokuroria ndaj gjyqtarit Sali Berisha, i cili akuzohet për marrje të ryshfetit dhe armëmbajtje pa leje

Të pakënaqur me vendimin e Gjykatës së Prishtinës, Sali Berisha, përmes mbrojtësit të tij kishte ushtruar ankesë në Gjykatën e Apelit.

Gjykata e Apelit kishte vërtetuar vendimin e Gjykatës së Prishtinës, me anë të të cilit ishte konfirmuar aktakuza e ngritur ndaj gjyqtarit Sali Berisha.

Sipas Prokurorisë, më 19 shtator 2019, i akuzuari Sali Berisha ishte takuar me dëshmitarin F.Z., me të cilin kanë shkuar te vetura e dëshmitarit dhe pasi kanë hyrë brenda, i akuzuari ka pranuar nga dëshmitari shumën e parave në vlerë prej 2 mijë eurove.

Gjithnjë sipas Prokurorisë, për shkak se i akuzuari ishte dakorduar me dëshmitarin, që në një rast ku i akuzuar për dy vepra penale të kontrabandimit me emigrantë, ishte vëllai i dëshmitarit F. Z., në të cilin rast i pandehuri Sali Berisha ishte kryetar i trupit gjykues, ishte dakorduar që të njëjtit t’i shqiptojë dënim të favorshëm, me ç ‘rast Berisha ka marrë aktgjykimin me të cilin i ka shqiptuar dënim të kushtëzuar me burg prej 3 vjet, me kusht që brenda 2 viteve të mos kryejë vepër tjetër penale.

Po ashtu, Prokuroria akuzon gjykatësin Sali Berisha se deri më 19 shtator 2019 ka mbajtur armë, në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm, një revole të tipit ‘Zaza Mini’, kalibri 8mm, së bashku me 10 fishekë, e cila është gjetur kur i është bastisur banesa në Pejë.

Gjykatësi Sali Berisha në dhjetor të vitit 2019, pas 3 muajve të qëndrimit në paraburgim, ishte liruar për të qëndruar në arrest shtëpiak.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast gjyqësor mund t`i lexoni duke klikuar në LINK