Gjyqi ndaj ish krerëve të UÇK-së - Dëshmitari deklaron se ishte ndaluar për 56 ditë

Një serb po dëshmon në Hagë në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit të cilët po gjykohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Të hënën, dëshmitari i dhjetë i Prokurorisë është dëshmitari i mbrojtur W03540, i cili po dëshmon me pamje të ndryshuar.

I njëjti dëshmitari ka dhënë dëshmi edhe në çështjen e Latif Gashit të gjykuar nga EULEX.

Dëshmitari i Prokurorisë ka deklaruar se në vitin 1998 ishte ndaluar ku për 56 ditë i është nënshtruar rrahjeve e keqtrajtimeve.

Dëshmitari ka thënë se është arrestuar deri sa ka qenë duke mbikqyrur pyllin.

”Ndërkohë kur po kontrolloja pyllin, në pikën e quajtur ‘uji i mirë’ e pash se po priteshin disa pemë. Kështu që, shkova për të parë se çfarë po bëhej atje sepse bëhej fjalë për pyll shtetëror… gjendej për në Keçekoll. Kur shkova atje pash që katër burra që dolën nga asgjëja dhe kishin armë aotomatike. Unë i çova duart dhe ata m`i mbyllën sytë e mi  lidhën duart dhe dy prej tyre vazhduan t’i prisnin drunjtë”.

Ai tutje ka thënë se Latif Gashi e ka detyruar ta nënshkruajë një dokument ku thuhej mes tjerash se nuk do të kthehej në Kosovë dhe nuk është keqtrajtuar në ndalim.

“Më duhej ta nënshkruaja një dokument që të lirohesha, më 26 shtator është data kur jam liruar. Duhet të nënshkruaja që nuk do të shkel në Kosovë, që nuk janë keqtrajtuar…”- pohoi ai.

Dëshmitari ka thënë se bashkë me të ka qenë i ndaluar edhe Sabit Berisha pasi UÇK-ja dyshonte se kishte bashkëpunaur me serbë.

“Sabit Berisha më tregoi se 3 ditë pasi ishte arrestuar dhe ishte rrahur aq keq, dhe kur u rimëkëmbë më tha se ishte akuzuar se ka bashkëpunuar me disa serbë dhe i ishin gjendur disa dokumente serbe”- tha W03540.

W03540 më tej ka rrëfey edhe për gjendjen e personave të tjerë të cilët ishin të ndaluar.

“Osman Sinanin e lidhën në një pemë kurse mua në një tjetër. E dëgjova duke i thënë: ‘A do ta pranosh se ke bashkpunuar me serbët?’ Ai tha: Jo… sepse nuk ka bashkëpunuar, vetëm jam shoqëruar me ta…. Më pas dëgjova një të shtënë. Nuk mund të jem i sigurt… Ndërkaq edhe mua më thanë: ‘Hape gojën dhe më tha: A e pranon se ke punuar dhe se ke qenë agjent për policinë dhe ushtrinë’- Unë në fakt isha vetëm roje pylli. Dhe më pas ai shtiu në drejtimin tim por arma ishte bosh. Dhe më tha kur të bëhesh i holl… do të vrasin, pra e kishte fjalën kur të më torturojnë”- shpjegoi dëshmitari.

Dëshmitari sqaroi se lajmin se e kishin rrahur deri në vdekje Osmanin Sinanin ia kishte dhënë personi me emrin Fadil Sylejviqi.

“Sylejviqi më tha se atij i kishin dhënë urdhër ta bënte, që ai merrte gjithmonë urdhra nga Latif Gashi sepse ne ishim nën kontrolline tij, pra personi që na kontrollonte ne ishte Latif Gashi sepse kishte dhe persona të tjerë aty”-përshkroi dëshmitari.

“Fadil Syljeviqi më ka thënë se ushtria e ka vrarë atë, përgjigja është UÇK-ja… këtë ma thanë pasi u liruam pas 5-6 dite…”- sqaroi ai.

Në vijim dëshmitari ka thënë se me urdhra të Latif Gashit civilët e ndaluar ishin dërguar në një vend për të gropuar dhe për të ndërtuar bunkerë.

Ndërkaq, vendet e ndaluara sipas tij gjendeshin në Bare dhe Bajgorë.

Dëshmitari ka përshkruar një moment kur sipas tij kishte dëgjuar ushtarët e UÇK-së duke thënë njëri-tjetrit: “më lër  ta vras t’ia q. nanën serbe”.

Gjyqi ndaj ish-krerëve të UÇK-së filloi më 3 prill 2023, dy vjet pas arrestimit dhe dërgimit të tyre në Hagë.

Hashim Thaçit Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Aktakuza fillestare kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe ka pësuar disa ndryshime në vitet që kanë pasuar. Aktakuza aktualisht në fuqi u dorëzua më 27 shkurt 2023.

Secili prej të akuzuarve është akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.

Gjithashtu kundër tyre janë ngritur edhe pretendime për krime lufte: arrestim dhe ndalim i paligjshëm dhe arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme.

Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si dhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë.

Pretendohet se këto krime u kryen nga anëtarë të UÇK-së kundër qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë në luftime.

Deri tani, 140 persona janë pranuar si viktima pjesëmarrëse në procesin gjyqësor.

Ata janë vetëdeklaruar të pafajshëm për akuzat në fjalë.

Raportimet e tjera të KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.