Seanca gjyqësore, Foto: KALLXO.com

Gjykimi për sulmin ndaj Kuvendit, dëshmon roja i parkingut

Është mbajtur sot seanca gjyqësore ndaj aktivistëve dhe ish-aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Atdhe Arifi, Frashër Krasniqi, Egzon Haliti dhe Adea Batusha, të cilët akuzohen nga Prokuroria se kanë gjuajtur me granatë-hedhës Kuvendin e Kosovës në gusht të vitit 2016.

Për shkak të mungesës së dy dëshmitarëve tjerë të thirrur nga Prokuroria Speciale, shqyrtimi gjyqësor është shtyrë për 22 maj të këtij viti.

Në këtë seancë cilësi të dëshmitarit, ka folur Refki Jashari – roje në parkingun që gjendet përballë ndërtesës së Kuvendit.

Dëshmitari deklaroi se në natën kritike kishte qenë në orar të punës.

“Kam dëgjuar një krismë më të madhe, e jo të zakonshme”, deklaroi ai.

Jashari thotë se për rastin e sulmit të ndërtesës së Kuvendit kishte dëgjuar të nesermen përmes mediave.

Prokuroria Speciale e Republikës të Kosovës kishte ngritur aktakuzë për terrorizëm kundër të akuzuarve më 28 dhjetor 2016.

Gjykata i kishte shpallur fajtorë të akuzuarit ku Frashër Krasniqin e kishte dënuar me burgim në kohëzgjatjen prej 8 viteve, Atdhe Arifin me 6 vite, Egzon Halitin me 5 vite e 6 muaj dhe Adea Batushën me burgim prej 2 viteve.

Ndërsa, këtë çështje Gjykata e Apelit e ka kthyer në rigjykim pas ankesave nga mbrojtësit e të akuzuarve.

EKSKLUZIVE: Gjetjet e Apelit për Gjykimin e Aktivistëve të VV-së