
Gjykimi për masakrën në Burgun e Dubravës, dy dëshmitarë thonë se e kanë parë të akuzuarin Milosavleviq
Në gjykimin ndaj Gavrillo Milosavleviqit, i akuzuar për masakrën në Burgun e Dubravës, në seancën e së mërkurës, më 05.03.2025, kanë dhënë dëshminë dy dëshmitarë, të cilët kishin qenë të burgosur në Burgun e Dubravës.
I pandehuri Gavrillo Milosavleviq po akuzohet se në cilësi të zyrtarit në Burgun e Dubravës, individualisht dhe në bashkëkryerje me persona të tjerë, kishte aplikuar masa represive të vrasjes, rrahjes, maltretimit, torturës, trajtimit në mënyrë mizore dhe çnjerëzore ndaj të burgosurve civilë të nacionalitetit shqiptar.
Dëshmitari Kamber Buqolli deklaroi se ishte burgosur më 14 shtator 1998.
Dëshmitari deklaroi se kur ishin dërguar në Burgun e Dubravës ishin lidhur me zinxhir dhe gjatë rrugës kishin pasur tortura, maltretime dhe fyerje.
Tutje, dëshmitari tha se pritja në Burgun e Dubravës kishte qenë e tmerrshme dhe gjatë tërë kohës kanë pasur po ashtu maltretime, dhunë deri në alivanosje, dhe se ushqimin e kishin pasur minimal.
Dëshmitari Buqolli tha se gjatë kohës që kanë qenë në Burgun e Dubravës kanë ardhur edhe civilë të cilët kishin përdorur dhunë në ta, dhe kjo torturë kishte vazhduar deri kur NATO kishte bombarduar pavijonin C.
Ai rrëfeu se kur ishin dërguar në sallën e sportit, gardianët kishin qenë të rreshtuar, disa të uniformuar, disa civilë, të gjithë me armë në dorë dhe kanë pritur që t’i ekzekutojnë.
Tutje, i njëjti tha se aty kishte ardhur një lajm që ai nuk e kishte dëgjuar por persona të tjerë kishin dëgjuar që të ndërpritet çdo aksion i ndërmarrë tash dhe t’i lënë të lirë deri të nesërmen.
Dëshmitari tutje tha së në mëngjes në vrojtore të karakollit kishte qenë një gardian i cili kishte dhënë urdhër që të rreshtohen për numër 4 ose më shumë dhe që të kalojnë nga ana e murit me arsyetimin e numërimit.
“Fillimisht ka fillu të gjuajë gardiani, i cili ka qenë në karakoll, dhe kanë gjujtë me çdo lloj arme. Kur unë jam rrëzu nuk e di si jam rrëzu dy trupa të vdekur i kam pasë mbi, trurin e njërit e kam pasë në qafë” – tha tutje dëshmitari.
Për të akuzuarin Gavrillo Milosavleviq, dëshmitari tha se e kishte parë dy herë.
“Gagin e kam parë dy herë, një herë jam shumë i sigurt në momentin kur e ka thirr Miki ose dikush tjetër ka thënë ‘Gagi’, atëherë e kam parë. E dyta e kam parë në sallën kur na kanë rreshtu me na pushkatu. Po, ka qenë i armatosur, i uniformuar, të uniformuar kanë qenë të gjithë, kurse pamja e tij ka qenë i gjatë rreth 1.80, i dobët, vital. Nuk kam mujtë me studiu qaq mirë” – tha dëshmitari.
Dëshmitari tha se kur e mendon këtë temë ndihet keq.
“Unë i iki kësaj teme se unë kur e mendoj këtë temë disa ditë s’jam kurrkund, po e kam ndi obligim moral me ardhë me dëshmu” – tha dëshmitari Kamber Buqolli.
Paraprakisht në seancë është dëgjuar dëshmitari Bajrush Xhemajli.
I njëjti tha se ka qenë në Burgun e Dubravës nga viti 1994 deri më 29 prill 1998, pastaj i kishin transferuar në Mitrovicë të Sremit dhe pas një viti ishin kthyer në Burgun e Dubravës.
Dëshmitari Xhemaili deklaroi se ditën kur kishin dalë te fusha e sportit, e cila ka qenë në oborrin e Burgut të Dubravës, dhe pasi ishin renditur nganjëherë nga 2 pastaj nga 4, afër murit kishin filluar një breshëri plumbash ndaj tyre.
Sipas dëshmitarit Xhemaili afër murit kishte pasur të ndërtuara skele.
“Këtu unë mendoj që kanë maru skele, me hypë aty 6 metra, aty me të vra. Nuk ka mund krejt ajo breshëri me kanë prej karakollit, edhe s’ka qenë veç prej karakollit po ka qenë edhe prej murit, kanë gjujtë prej disa anëve”-tha dëshmitari Xhemaili.
Tutje, gjatë seancës nga prokurori Ilir Morina u shfaq një CD e cila ishte pamja e Burgut e Dubravës gjatë kohës së tashme.
Dëshmitari Xhemaili gjatë shfaqjes së videos shpjegoi vendet ku kishin qenë të rreshtuar dhe oborrin ku kishin qenë ata.
“Ky ka qenë oborri ku kemi qenë, na kanë dhënë urdhrin që të rreshtohemi për 4 që atyre t’u bie më lehtë për të na vrarë”-tha dëshmitari Xhemaili.
Dëshmitari Bajrush Xhemaili lidhur me të akuzuarin Gavrillo Milosavleviq tha se e njeh që ka qenë punëtor i burgut, dhe e njeh me pseudonimin “Gagi”.
“Gjate tërë masakrës unë veç një moment e kam parë, nashta ka mujtë me qenë me maskë, po aty ka qenë pa maskë kur e kam pa unë në sallën e sportit, masi na kanë grumbullu aty prej pavijonit C1”-tha dëshmitari Xhemaili.
Dëshmitari Xhemaili tha se përveç momentit kur e ka parë në sallë të akuzuarin Milosavleviq nuk e kishte parë më, dhe se në sallë kur e kishte parë i akuzuari kishte pasur armë në dorë.
Gjatë kohës sa kishte qëndruar në burg, dëshmitari Xhemaili deklaroi se nuk kishte parë ndonjë veprim konkret të të akuzuarit.
Seanca e radhës për këtë çështje penale është e caktuar për datë 06.03.2025.
Ky rast po trajtohet në Departamentin Special të Gjykatës së Prishtinës nga trupi gjykues i përbërë nga Vesel Ismaili – kryetar, dhe Arben Hoti dhe Kujtim Krasniqi – anëtarë.
Aktakuza ndaj të pandehurit Gavrillo Milosavleviq ishte ngritur më 29.11.2023, ndërsa shqyrtimi fillestar ishte mbajtur më 07.12.2023.
Gjatë shqyrtimit fillestar i akuzuari Milosavleviq pas leximit të aktakuzës nga Prokuroria kishte deklaruar se e ka kuptuar veprën për të cilën po akuzohet, mirëpo, kishte deklaruar se nuk ndihet fajtor.
DOSJA E PROKURORISË
Sipas dosjes së Prokurorisë, në periudhën kohore 1998-1999, gjatë kohës së luftës në Kosovë, i pandehuri Gavrilo Milosavleviq në cilësi të zyrtarit në Burgun e Dubravës individualisht dhe në bashkëkryerje me persona të tjerë kishte aplikuar masa represive të vrasjes, rrahjes, maltretimit, torturës, trajtimit në mënyrë mizore dhe çnjerëzore ndaj të burgosurve civilë të nacionalitetit shqiptarë.
Sipas aktakuzës, Gavrilo Milosavleviq në bashkëkryerje me njësitë policore serbe kishin kryer vrasjen masive të të burgosurve shqiptarë, me ç’rast në ditën e incidentit kishin urdhëruar që në oborrin e burgut, i njohur si fusha e sportit”, të dalin 1 mijë të burgosur, me arsyetimin se do t’i numëronin të burgosurit dhe do t’i dërgonin në ndonjë vend tjetër më të sigurt për t’i mbrojtur të burgosurit nga bombardimet e NATO-s.
Tutje, sipas aktakuzës, menjëherë pas rreshtimit të të burgosurve njësitë policore serbe i kishin gjuajtur me të gjitha llojet e armëve, si kallashnikovë, mitralozë, mortaja dhe armë të tjera, kurse nga mbrapa murit të burgut me granata dore.
Nga ky operacion i vrasjes, i cili kishte filluar nga 22.05.1999 dhe kishte zgjatur deri me 24.05.1999, si rezultat i këtyre sulmeve kishin mbetur të vrarë 109 të burgosur dhe 108 të burgosur kishin mbetur të plagosur.
Gjithnjë sipas aktakuzës, i akuzuari Milosavleviq në bashkëkryerje me zyrtarë të tjerë ushtarakë serbë kishin shkuar thuajse çdo ditë në pavijonet “B” dhe “C” (pavijonet e Burgut të Dubravës), duke i rrahur në mënyrë mizore dhe çnjerëzore të burgosurit civilë shqiptarë, duke i ofenduar dhe maltretuar fizikisht dhe psiqikisht, pa ndonjë arsye, vetëm për faktin se ishin shqiptarë.
Për këto veprime, i akuzuari Gavrilo Milosavleviq akuzohet se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale – krim i luftës kundër popullsisë civile.
Për masakrat dhe krimet e tjera të luftës dhe krimet kundër njerëzimit të kryera në Kosovë nga forcat serbe e jugosllave gjatë luftës së viteve 1998/1999 ishin gjykuar, e disa edhe dënuar, ish-udhëheqësit më të lartë politikë dhe ushtarakë të Jugosllavisë së mbetur dhe të Serbisë.
Ish-presidenti i Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq, ishte akuzuar për krime lufte dhe për krime kundër njerëzimit, të kryera nga forcat serbe e jugosllave në Kosovë. Millosheviq ishte akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit të kryera edhe në luftërat në Bosnjë e Hercegovinë, si dhe në Kroaci.
Gjykimi i tij në Gjykatën ndërkombëtare penale për ish-Jugosllavinë (ICTY), me seli në Hagë, nuk kishte marrë epilog pasi Millosheviq kishte vdekur më 11.03.2006 në qeli teksa po mbahej në paraburgim.
Për këto veprime, i akuzuari Gavrilo Milosavleviq akuzohet se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale – krim i luftës kundër popullsisë civile.
Për masakrat dhe krimet e tjera të luftës dhe krimet kundër njerëzimit të kryera në Kosovë nga forcat serbe e jugosllave gjatë luftës së viteve 1998/1999 ishin gjykuar, e disa edhe dënuar, ish-udhëheqësit më të lartë politikë dhe ushtarakë të Jugosllavisë së mbetur dhe të Serbisë.
Ish-presidenti i Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq, ishte akuzuar për krime lufte dhe për krime kundër njerëzimit, të kryera nga forcat serbe e jugosllave në Kosovë. Millosheviq ishte akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit të kryera edhe në luftërat në Bosnjë e Hercegovinë, si dhe në Kroaci.
Gjykimi i tij në Gjykatën ndërkombëtare penale për ish-Jugosllavinë (ICTY), me seli në Hagë, nuk kishte marrë epilog pasi Millosheviq kishte vdekur më 11.03.2006 në qeli teksa po mbahej në paraburgim.
Millan Millutinoviq, ish-kryetari i Serbisë, ishte liruar nga akuzat për krime lufte gjatë konfliktit në Kosovë.
Nikolla Shainoviq, zëvendëskryeministër i Republikës Federale të Jugosllavisë, ishte dënuar me 18 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës.
Dragolub Ojdaniq, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 15 vjet burg për krime kundër njerëzimit.
Nebojsha Pavkoviq, ish-komandanti i Armatës së Tretë të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 22 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës.
Vlladimir Llazareviq, ish-komandanti i Korpusit të Prishtinës të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 14 vjet burg për krime kundër njerëzimit.
Sreten Llukiq, ish-shefi i stafit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë për Kosovë, ishte dënuar me 20 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës.
Aktgjykimin të plotë, në gjuhën angleze, e gjeni në link.