Gjykimi i tretë ndaj ish komandantit të stacionit policor në Novobërdë drejt fundit

Shukri Aliu, ish komandant i stacionit policor në Novobërdë, sërish ka dalur para gjykatësit në Gjilan për t`u përballur me akuzat e Prokurorisë për marrje ryshfeti dhe mos lajmërim të veprave penale.

Aliu ka dalë edhe sot para gjykatësit në Gjilan pasi ishte dënuar dy herë nga Gjykata.

Në muajin dhjetor 2018, Aliu ishte dënuar nga Gjykata e Gjilanit me 6 muaj burgim me kusht dhe 1,500 euro gjobë, por këtë çështje Gjykata e Apelit e kishte kthyer në rigjykim. Pas rigjykimit Aliu në dhjetor të vitit 2019, prapë ishte dënuar nga Gjykata me dënimin e njëjtë sikurse në gjykimin e parë.

Gjykata e Apelit përseri më 29 maj të këtij viti rastin e ka kthyer në rigjykim.

Në seancen e sotme u dëgjua dëshmitari Ivan Dikiq, i cili ishte i përfshirë dhe i dënuar në këtë rast. Ai tha se me Prokurorinë kanë arritur marrëveshje për pranim të fajësisë dhe se e ka paguar dënimini cili iu ka shqiptuar.

“Unë jam dënuar nga Gjykata për një armë të gjuetisë, kam poseduar leje për armën nga UNMIK-u, të cilën e kam marrë në stacionin Policor në Kamenicë. Unë jam dënuar nga Gjykata për shkak të lidhjes së marteses me një të mitur. Unë jetoj me atë (të mituren), jam martuar me të dhe i kam dy fëmijë. Shukriu asnjëherë nuk ka kërkuar dru pa pagesë nga unë”, tha dëshmitari Dikiq.

Tutje në seancë, e dha mbrojtjen e tijë i akuzuari Aliu, i cili tha se mbetet në tërsi pranë deklaratave të dhëna në shqyrtimet e kaluara gjyqësore duke mos shtuar diqka tjetër.

Në vazhdim u dha edhe fjala përfundimtare e palëve. Prokurori Arben Kadriu tha se mbetet në tërsi pranë fjalëve përfundimtare nga shqyrtimet e kaluara.

Mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Ymer Huruglica dhe i akuzuari Shukri Aliu, gjithashtu thanë se mbeten pranë fjalëve përfundimtare duke kërkuar nga Gjykata lirimin e të akuzuarit nga akuzat.

Sipas Prokurorisë, në muajin shtator 2017, i akuzuari Shukri Aliu, në cilësi të komandantit të stacionit policor në Novobërdë, në mënyrë të drejtpërdrejtë ka pranuar dhuratë (dru për ngrohje), në sasi rreth 5 metra kub, me kusht moszbulimin e veprës penale të vjedhjes së pyllit në pronësi të Naser Mehmetit nga Gjilani.

Shukri Aliu gjithashtu akuzohet se në muajin korrik 2017, përmes telefonit kishte komunikuar me të pandehurin Ivan Dikiq, dhe nga i njëjti kishte mësuar se pa leje është duke poseduar armë të zjarrit dhe se të njëjtën do ta përdorë në një dasmë, e cila armë gjatë bastisjes është sekuestruar.

Tutje sipas aktakuzës, Aliu nga i pandehuri Ivan Dikiq mëson se i njëjti është duke mbajtur në bashkësi jashtëmartesore personin nën moshën 16 vjeç edhe pse si person zyrtar, komandant i stacionit policor në Novobërdë, mëson për këto dy vepra, të njëjtat nuk i kishte lajmëruar.

Më 6 mars 2018, ndaj të pandehurit Ivan Dikiq, për dy vepra penale – armëmbajtje pa leje dhe importi-eksporti i armëve dhe materialeve plasëse, ishte shqiptuar dënim prej një viti burgim me kusht pasi kishte arritur marrëveshje me Prokurorinë për pranimin e fajësisë.

Shpallja e vendimit për këtë rast do të bëhet nesër me datë 13 nëntor.

Kallxo.com ka raportuar edhe më parë për këtë rast: LINK