Arkiv

Gjykatësja kërkon edhe 60 ditë për arsyetimin e dënimit të “Syrit të Popullit"

Gjykatësja Naime Krasniqi Jashanica ka kërkuar 60 ditë kohë për përpilimin e aktgjykimit në rastin e njohur si “Syri i Popullit”. Këtë kërkesë ia ka aprovuar Kryetarja e Gjykatës së Prishtinës, Afërdita Bytyqi.

Sot një muaj, gjykata dha verdiktin dënues  për organizatën “Syri i Popullit”.

Më 22 janar, anëtarët e kësaj organizate u dënuan me më shumë se 40 vjet burgim efektiv.

Në seancën e 22 janarit, njësia e reagimit të shpejtë e largoi tani të dënuarin Avni Llumnica nga gjykatorja për shkak të reagimit të tij kur mori dënimin prej 12 vitesh burgim, kur  ai u drejtua nga trupi gjykues me fjalët “ ju jeni tradhëtarë”.

Ajo  ishte dita kur trupi gjykus i udhëhequr nga gjykatësja Naime Krasniqi, shpalli bindjen e vet se organizata “Syri i Popullit” ishte fajtore për tentim vrasjen e avokatit Azem Vllasi.

Gjykata dënoi Avni Llumnicën me 12 vjet burgim unik për veprat penale të hakmarrjes, dhunimit dhe terrorizmit, si dhe i konfiskoi veturën e markës “BMË X5”.

Për terrorizëm u dënuan edhe Sadri Ramabaja me  5 vjet burgim, Ragip Sallova 4 vjet, Rexhep Topllana me 2 vjet burgim, Halim Halimi  u dënua me 3 vjet burgim.

Ndërsa  Bajrush Konjusha u dënuan me nga 3 vjet burgim efektiv si dënim me gjobë në shumë prej 300 euro për armëmbajtje pa leje të një pushke ajrore dhe një revole me gaz e modifikuar.

Behxhet Luzha u dënua me 2 vjet burgim për shkak të moslajmërimit të veprës penale.

Ndërsa Murat Jasharit i’u shqiptua masa e trajtimit të detyrueshëm psikiatrik në kohëzgjatje pre 10 viteve si dhe i’u konfiskua arma e llojit “Crvena Zastave” me shurdhues.

Ndërsa për dy të akuzuarit Sabit Berisha dhe Lirije Luzha u refuzua akuza për shkak se prokurori Sylë Hoxha ka hequr dorë nga ndjekja penale.

E kontaktuar nga KALLXO.com, gjykatësja e rastit Naime Krasniqi Jashanica, tha se ka kërkuar nga kryetarja e gjykatës afat prej 60 ditëve për përpilimin e aktgjykimit’.

Sipas gjykatëses, arsyeja pse nuk ka mundur ta përpilojë aktgjykimin brenda afatit ligjor prej një muaji ishte “mungesa e procesmbajtësit dhe lënda është e ndërlikuar”.

KALLXO.com ka siguruar kërkesën e datës 6 shkurt drejtuar Kryetares së Gjykatës.

“ Kërkoj nga ju qe ta zgjaani afatin e përpilimit të këtij aktgjykimi deri në 60 dite, sikur që unë do të mundohem që aktgjykimin ta përpiloj sa më shpejtë por pa dashur që nën presion të bëhen lëshime duke pasur parasysh se tani më siç edhe ju kam njoftuar mungon zyrtari ligjor dhe çështja është e ndërlikuar”, shkruan kërkesa.

Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë ndaj 10 personave në lidhje me këtë rast më 27 shkurt 2018.

Aktakuza ka të bëjë me plagosjen e ish-politikanit kosovar të viteve 1980, Azem Vllasi, tani avokat.

Ky proces gjyqësor është gjykuar nga gjykatësit, Naime Krasniqi-Jashanica kryetare e trupit gjykues si dhe dy anëtaret e tjerë Valbona Musliu-Selimaj dhe Vesel Ismajli.

Ndërsa aktakuzën e Prokurorisë e ka përfaqësuar Prokurori Special Sylë Hoxha.

Pjesë e aktakuzës ishin veprat penale duke filluar nga hakmarrja, ndihma, dhunimi, përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës, mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.

Sipas prokurorisë, të akuzuarit planifikonin shkatërrimin e strukturave themelore politike, kushtetuese, ekonomike apo shoqërore të Republikës së Kosovës me sulme dhe me vrasje ndaj personaliteteve më të larta shtetërore duke filluar nga ish-funksionarët e lartë të Kosovës prej vitit 1980 deri në 1991, duke i konsideruar si tradhtarë të vendit, e po ashtu funksionarët nga viti 1999 deri në vitin 2016.

Sipas aktakuzës, organizata kishte grupe guerile, ndërsa kërkonte që diktatori shqiptar Enver Hoxha të njihej si hero.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi lidhur me këtë rast – LINK