Gjykata Speciale jep detaje nga zhvillimet gjatë javës rreth proceseve gjyqësore

Michael Doyle, zëdhënës i Dhomave të Specializuara në Hagë, në informimin javor për media foli për aspekte të ndryshme lidhur me zhvillimet dhe proceset në këtë Gjykatë.

Të mërkurën, më 10 maj, dëshmitari i katërt i thirrur nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në çështjen gjyqësore Hashim Thaçi dhe të tjerët filloi dhënien e dëshmisë, e cila deri më tani është kryer në seancë private.

Më 8 maj, ekipet e mbrojtjes të Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit dorëzuan versionin e redaktuar publik të dosjeve paraprake të tyre, të cilat mund t’i gjeni në faqen e internetit të DHSK-së.

Sipas rregullores, dosja paraprake e mbrojtjes mund të tregojë në pika të përgjithshme llojin e argumenteve mbrojtëse të të akuzuarit, akuzat dhe aspektet që i akuzuari i kundërshton dhe listën e dëshmitarëve që mbrojtja synon t’i thërrasë.

Në çështjen gjyqësore Salih Mustafa, versioni i redaktuar publik i dosjes së apelit të mbrojtjes është në dispozicion në faqen e internetit të DHSK-së.

Versioni origjinal i dosjes u dorëzua më 24 prill.

Dosja e Apelit është një dokument në të cilin mbrojtja përshkruan të gjitha argumentet dhe precedentët gjyqësorë në mbështetje të apelit kundër aktgjykimit.

Hapi i ardhshëm në procesin e apelit është që Prokuroria dhe Mbrojtësi i Viktimave t’u përgjigjen argumenteve të mbrojtjes.

Më 5 maj, paneli i Gjykatës së Apelit miratoi pjesërisht kërkesën e Prokurorisë dhe të Mbrojtësit të Viktimave për zgjatjen e afatit për dorëzimin e dosjeve të tyre në përgjigje ndaj dosjes së apelit të mbrojtjes deri më 5 qershor 2023.

Në çështjen gjyqësore Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, siç u njoftua javën e kaluar, që të dy, Gucati dhe Haradinaj, i janë drejtuar Dhomës së Gjykatës Supreme të DHSK-së me kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë në lidhje me aktgjykimin e panelit të Gjykatës së Apelit.

Sipas Michael Doyle  më 8 maj, paneli i Gjykatës Supreme urdhëroi mbrojtjen e Haradinajt që ta ridorëzojë kërkesën e vet, pasi konstatoi se ishte tejkaluar numri i lejuar i fjalëve. Mbrojtja e Haradinajt e ridorëzoi kërkesën më 10 maj.

Sa u përket hapave të ardhshëm, paneli i Gjykatës Supreme ka urdhëruar Prokurorinë që të dorëzojë përgjigje ndaj parashtrimeve të mbrojtjes në lidhje me mbrojtjen e ligjshmërisë brenda 60 ditësh dhe mbrojtja do të ketë 30 ditë pas kësaj që t’i kundërpërgjigjet Prokurorisë.

Në gjykimin e Pjetër Shalës, paneli i Gjykatës së Apelit mori në shqyrtim aspektin e pranueshmërisë së deklaratave të mëparshme të dhëna nga i akuzuari më 2016 dhe 2019, si dhe dokumente të tjera përkatëse.

Paneli miratoi pjesërisht njërën prej pikave të apelit të mbrojtjes, duke lënë në fuqi vendimin e trupit gjykues për t’i konsideruar të pranueshme deklaratat e mëparshme përkatëse.