Ramush Haradinaj - Kryeministër në dorëheqje

Bordet ‘pending’ që i la pas Qeveria Haradinaj

Disa institucione të rëndësishme të Republikës së Kosovës kanë mbetur jofunksionale për një kohë të gjatë për shkak se Kuvendi nuk ka arritur t’i kompletojë me kohë bordet e tyre vendimmarrëse. Ato do të vazhdojnë të jenë jofunksionale nëse vendi shkon në zgjedhje të parakohshme, ashtu siç kanë paralajmëruar partitë kryesore në Kosovë.

Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur të funksionalizojë bordin e ndërmarrjes KOSTT, përkundër që lista me emrat e kandidatëve të emërueshëm kanë qenë të gatshëm në muajin janar të vitit 2019.

Zvarritja ka pasur edhe në emërimin e disa bordeve të tjera, siç është ai i Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës të Shërbimit Civil të Kosovës (KPMShCK)  që është jofunksional nga 21 janari. Avokati i Popullit ka rekomanduar Kuvendin e Kosovës që t’i votojë anëtarët e tij sepse për shkak të mosfunksionalizimit të këtij Këshilli janë grumbulluar një numër i madh i ankesave, të cilat nuk mund të shqyrtohen.

Gazeta JnK do të listojë të gjitha bordet që janë jofunksionale dhe që do t’i mbeten si detyrë e parë e të zgjedhurve që do të dalin nga zgjedhjet e parakohshme, nëse do të mbahen siç është planifikuar.

KPMShC jofunksional nga janari

Lista me gjashtë kandidatët më të suksesshëm për anëtarë të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës të Shërbimit Civil të Kosovës (KPMShCK) janë dërguar në Kuvendin e Kosovës në fillim të muajit prill të këtij viti.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë pasur për detyrë për të zgjedhur vetëm tre anëtarë, të cilët do të mbushin boshllëkun që është lënë në Këshill. KPMShCK është jofunksional që nga 21 janari 2019, pasi Kuvendi nuk ka arritur t’i emërojë anëtarët e bordit të këtij institucioni.

Konkursi për përzgjedhjen e anëtarëve të KPMShCK-së është udhëhequr nga Kuvendi dhe BDO-ja, kompani e angazhuar nga Ambasada Britanike për t’i asistuar Kuvendit dhe Qeverisë për përzgjedhjen e personave nëpër pozita të larta drejtuese.

Sipas Komisionit vendor, kandidati më i vlerësuar është Shkëmb Manaj me 30.8 pikë. Manaj ka dalë i pari edhe në listën e britanikëve, por sipas tyre ai ka marrë 25.5 pikë.

I dyti në listën e vendorëve është radhitur Ramadan H. Gashi, me 30 pikë. I njëjti ka hyrë edhe në listën e më të vlerësuarve edhe te britanikët, por te ta është radhitur i pesti me 19 pikë.

Kandidati i tretë më i vlerësuar sipas Komisionit vendor është Faruk Rexhaj. Ai ka marrë 29.3 pikë nga deputetët. Rexhaj sipas britanikëve është radhitur një pozitë më poshtë se te vendorët. Ai nga britanikët është vlerësuar me 20.5 pikë duke bërë që të radhitet në pozitën e katërt

Pozitën e katërt në listën e vendorëve e ndajnë dy kandidatë të cilët janë vlerësuar me pikë të njëjta nga Komisioni vendor. Lulzim Aliaj dhe Mërgim Himaj kanë grumbulluar nga 28 pikë secili.

Për dallim nga Komisioni vendor, Lulzim Aliaj tek britanikët radhitet i dyti në listë pas Shkëmb Manajt. Kompania britanike e ka vlerësuar Aliajn me 23 pikë. Pas Aliajt, në pozitën e katërt, britanikët kanë radhitur kandidatin Mërgim Himaj, i cili është vlerësuar me 22 pikë.

Listën prej gjashtë kandidatëve e ka përmbyllur kandidatja Zyle Millaku – Gojnovci. Millaku – Gojnovci është vlerësuar me 25.8 pikë nga Komisioni vendor.

Sipas britanikëve, Millaku – Gojnovci nuk i ka arritur pikët e mjaftueshme për të qenë e emërueshme në pozitën për të cilën ka konkurruar.

Tashmë ka kaluar më shumë se 6 muaj që kur KPMShCK është jashtë funksionit. Avokati i Popullit në muajin qershor ka publikuar një raport me rekomandime lidhur me mungesën e mjeteve juridike efektive për zgjidhjen e kontesteve të punës nga nëpunësit civilë dhe nga kandidatët për pranim në shërbimin civil.

Ky institucion ka konstatuar së është e nevojshme që Kuvendi t’i emërojë sa më shpejtë anëtarët e Këshillit dhe funksionalizimin e tij.

Kjo pasi që kanë vërejtur se Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës është jofunksional qysh nga data 21 janar 2019, e që për pasojë ky Këshill nuk ka nxjerrë asnjë vendim dhe asnjë ankesë e paraqitur nga nëpunësit civilë apo kandidatët për pranim nuk është shqyrtuar.

Gjithashtu, Avokati i Popullit ka vlerësuar se si pasojë e mos emërimit të anëtarëve të KPMShCK-së nga Kuvendi, nëpunësit civilë dhe kandidatëve për pranim në shërbimin civil u është mohuar e drejta për mjete efektive juridike.

Bordi i pakompletuar i KOSTT-it

Lista e kandidatëve për drejtorë të Bordit të KOSTT-it është duke pritur që nga muaji janar për t’u votuar në Kuvendin e Kosovës.

Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal ka dërguar në Kuvend 12 emrat e kandidatëve më të poentuar për drejtorë të Bordit të KOSTT më 22 janar.

Lista me emrat e 12 kandidatëve disa herë ka qenë në rend të ditës për votim por asnjëherë nuk i ka ardhur radha për t’u shqyrtuar.

Dorëheqja e kryeministrit Ramush Haradinaj do të shtyjë edhe më shumë kompletimin e Bordit të KOSTT-it.

Katër nga emrat në garë për tu bërë anëtarë të bordit që janë dërguar për votim në kryesinë e Kuvendit dhe pastaj në seancën plenare nuk konsiderohen të emërueshëm nga komisioni britanik (BDO).

Përderisa lista e panelit vlerësues nga Komisioni për Zhvillim Ekonomik i posedon 12 emra të kandidatëve, lista e BDO-së ka renditur vetëm 9 kandidatë më të potentuar gjatë procesit të intervistimit si të emërueshëm për bordin e KOSTT-it.

Ky nuk është dallimi i vetëm i vlerësimit të këtyre dy komisioneve, pasi kanë dallime në vlerësimin e bërë për kandidatët.

Një nga problemet e shfaqura gjatë procesit të intervistimit ka qenë mungesa e anëtarëve të komisionit vlerësues, pra deputetëve. Vetëm në ditën e dytë, pas insistimit të BDO-së, ishte caktuar një komision prej deputetëve të cilët kanë qenë të pranishëm në katër ditët e tjera të intervistimit.

Poentimi i disa prej kandidatëve ka pasur diskrepancë të madhe në mes të deputetëve që kanë ardh nga partitë e ndryshme: derisa njëri deputet e ka vlerësuar me më shumë pikë, të tjerët e kanë poentuar më pak.

Lista me emrat e kandidatëve që shkojnë në Kuvendin e Kosovës, përzgjedhur nga Komisionit për Zhvillim Ekonomik ka këtë renditje: Hekuran Murati, Muzafer Shala, Enis Berisha, Nagip Krasniqi, Migjen Kukaj, Nagip Skenderi, Shkelzen Nuza, Sejdi Rexhepi, Nebih Zariqi, Naim Sahiti, Neron Berisha, Habib Basholli.

Ndërkaq, lista e BDO-së ka këtë renditje të kandidatëve më të poentuar: Nagip Krasniqi, Enis Berisha, Muzafer Shala, Migjen Kukaj, Mehdi Latifaj, Nebih Zaqiri, Naim Sahiti, Nagip Skenderi, Sejdi Rexhepi.

Hekuran Murati, kandidati më i poentuar i panelit vlerësues i Komisionit Parlamentar, nuk figuron fare në listën përzgjedhëse të BDO-së, pra për britanikët Murati nuk është i emërueshëm. Dallimi i pikëve për këtë kandidatë ka qenë një prej çështjeve të diskutuara në mes të dy komisioneve. Deputetet e Kuvendit të Kosovës, që e kanë poentuar me më së shumti pikë, Muratin kanë thënë se “përkthimi mund të ketë qenë një prej problemeve se komisioni britanik nuk e ka poentuar me pikë të mjaftueshme për të emëruar atë”.

Emri i një tjetër kandidati për bord të KOSTT-it i cili është në listën e Komisionit për Zhvillim Ekonomik nuk gjenden në listën e britanikëve. Është fjala për Shkelzen Nuza, që në listën e komisionit renditet i shtati me radhë.

Edhe emrat e dy kandidatëve të tjerë të poentuar nga anëtarët e Komisionit Parlamentar, siç është Neron Berisha dhe Habib Basholli, nuk janë futur në listën e BDO-së.

Ndërsa, Mehdi Latifaj është në listën e BDO-së, mirëpo nuk është futur fare në listën e Komisionit Vendor.

Tek BDO-ja kandidati më të poentuar është Nagip Krasniqit, i cili nga komisioni parlamentar është radhitur i katërti.

Konkursi për përzgjedhjen e anëtarëve të bordit të KOSTT për herë të parë është udhëhequr nga Kuvendi, ndërsa ata janë asistuar nga BDO-ja, kompani e angazhuar nga Ambasada Britanike për t’i asistuar Kuvendit dhe Qeverisë për përzgjedhjen e personave nëpër pozita të larta drejtuese.

Tentimi i tretë për zgjedhjen e kryesuesit të Bordit të ZRrE-së

Për dallim nga dy bordet e përmendura më herët, Bordi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë është funksional anise Kuvendi ka dështuar të zgjedh kryesuesin në dy tentimet e para.

Qeveria e Kosovës për herë të tretë ka mbetur të dërgojë në Kuvend emrat për kryesues të Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, të cilët janë zgjedhur pa asistencën e britanikëve.

Komisioni vendor i ka përzgjedhur si kandidatë më të suksesshëm Petrit Pepaj dhe Naim Sahiti, pas një procesi të intervistimit që nuk është zhvilluar në përputhje me praktikat e BDO-së, kompanisë së angazhuar nga Ambasada Britanike për t’i ofruar asistencë institucioneve të Kosovës në rekrutim.

Ambasada ishte tërhequr nga procesi i rekrutimit të kryesuesit të bordit të ZRrE-së, pasi Kuvendi dy herë kishte dështuar t’i emërojë kandidatët që britanikët i kishin përzgjedhur pas proceseve të gjata të rekrutimit.

Me dorëheqjen e kryeministrit Ramush Haradinaj, kandidatët e rekomanduar duhet të presin edhe më tutje.

Bordi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë ka kompetencë direkt për caktimin e çmimit të rrymës në Kosovë, dhe merr vendime që kanë peshë milionëshe për KEK-un, KEDS-in, KESCO, KOSTT-in dhe bizneset private që kanë investuar në prodhimin e energjisë nga burimet e ripërtritshme.

Konkursi për Kryesues të Bordit të ZRrE-së është hapur më 25 mars dhe është mbyllur më 8 prill 2019. Për këtë pozitë kanë aplikuar gjithsej 5 persona.

Ky ka qenë konkursi i tretë që është mbajtur për të njëjtin proces rekrutues. Komisioni vlerësues është përbërë vetëm nga komisioni vendor. Anëtarët e Komisionit përzgjedhës kanë qenë, Fitim Sadiku, sekretar i përgjithshëm në ministrinë e Punëve të Jashtme – Kryesues; Fidaim Sahiti, kryeshef ekzekutiv në Shërbim Gjeologjik të Kosovës (ShGjK); Veton Firzi, sekretari përgjithshëm në ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit(MKRS); Ruzhdi Sefa, profesor në Universitetin “Hasan Prishtina” – Prishtinë dhe Ilir Morina, kryeshef ekzekutiv i Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit te Kosovës.

BIRN ka monitoruar këtë proces të rekrutimit dhe ka vërejtur se Komisioni vendor nuk e ka përcjell praktikën e vendosur nga ana e BDO-së, përkundër që disa prej anëtarëve të komisionit kanë qenë pjesë e disa komisioneve dhe trajnimeve që i kanë mbajtur britanikët për anëtarët e komisionit vlerësues.

Po ashtu monitoruesit e BIRN kanë gjetur se hartimi i pyetjeve për intervistim nuk është bërë në përputhje me praktikën e Britanikëve. Pyetjet i ka sjellë njëri nga anëtarët e komisionit “të printuara” para se të mblidhet komisioni për intervistim, praktikë që nuk aplikohet nga BDO-ja. Në proceset kur janë të kyqur edhe BDO-ja, partneri i Ambasadës Britanike, hartimi i pyetjeve bëhet në ditën e intervistimit dhe në mënyrë transparente.

Gjithashtu, anëtarët e komisionit nuk e kanë argumentuar poentimin që e kanë bërë për kandidatët e intervistuar.

Pas intervistimit, komisioni vlerësues e kishte poentuar me 420 pikë Petrit Pepajn, drejtorin aktual menaxhues të ZRrE-së kurse me 320 pikë kandidatin tjetër, Naim Sahiti.

RTK pa bord të kompletuar

Edhe Radio Televizioni i Kosovës është me Bord të pakompletuar. Dorëheqja e Haradinajt dhe shkuarja në zgjedhje do të shtyjë edhe kompletimin e Bordit të RTK—së.

Më 11 korrik është bërë klasifikimi i kandidatëve të cilët kanë hyrë në listë të ngushtë për intervistim.

Ndërsa intervistat janë zhvilluar më 16 dhe 17 korrik. Komisioni ka intervistuar 11 kandidatë prej 17-ve sa kishin aplikuar.

Ata kanë pasur për obligim të rekomandojnë kandidatët të cilët më pas do të votohen në Kuvend. Nga ky konkurs do të përzgjidhen një shqiptar, një serb dhe një nga komunitetet tjera si anëtarë të Bordit të RTK-së

Komisioni ad-hoc i cili është krijuar ka qenë në përbërje të, Danush Ademi, Rasim Selmanaj (kryesues), Shemsi Syla, Doruntinë Maloku, Safete Hadërgjonaj, Veton Berisha, Valon Ramadani, Blerta Deliu Kodra, Armend Zemaj.

Asistues në këtë proces kanë qenë edhe kompania britanike BDO, e cila është angazhuar nga Ambasada britanike për të ndihmuar Kuvendin dhe Qeverinë në përzgjedhjen e zyrtareve në pozita të larta drejtuese.

Në pritje të votimit të anëtarit të Bordit të KPM-së

Njëjtë me institucionet e tjera të cilat kanë mbetur të pakompletuara apo janë jofunksionale për shkak se nuk janë votuar anëtarët e tyre nga Kuvendi i Kosovës, atyre iu bashkëngjitet edhe Komisioni i Pavarur për Media.

Takimi i parë i komisionit është zhvilluar me datë 11 qershor me ç’rast komisioni ka bërë shqyrtimin e aplikacioneve të pranuara nga 4 kandidatë të cilët kanë aplikuar për pozitën e Anëtarit të Bordit për Komisionin e Pavarur për Media.

Nga 4 kandidat të cilët kanë aplikuar, 3 kanë kaluar në fazën e intervistimit.

Pjesë e Komisionit vendor kanë qenë, Arban Abrashi (LDK), Etem Arifi  (Nisma Socialdemokrate), Fikrim Damaku (6+), Imet Rahmani (LDK), i cili nuk është paraqitur në asnjë fazë, Andin Hoti (PDK), Evgjeni Thaci – Dragusha (PDK), Valon Ramadani (LVV), Arbër Rexhaj (LVV), Rasim Selmanaj (AAK) dhe Dukagjin Gorani (PSD).

Intervistimi i kandidatëve është bërë me datë 18 qershor, intervistat u zhvilluan në ambientet e Kuvendit të Kosovës.

Për dallim nga faza e shqyrtimit të aplikacioneve, gjatë intervistimit të kandidatëve komisioni nuk ishte në përbërje të plotë.

Të pranishëm ishin: Arban Abrashi, Rasim Selmanaj, Dukagjin Gorani, Evgjeni Thaci – Dragusha, Etem Arifi dhe Arbër Rexhaj.

Procesi i intervistimit për secilin kandidatë së bashku me testin psikometrik ka zgjatur rreth dy orë.

Bordi i OShP-së

Edhe anëtarët e Bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit ende nuk janë zgjedhur. Lista e kandidatëve të rekomanduar kanë shkuar në Qeveri. Por Qeveria ende nuk i ka dërguar emrat në Kuvend për tu votuar nga deputetët.

Me dorëheqjen e kryeministrit Haradinaj, ky proces do të shtyhet edhe më shumë. Intervistat me kandidatët për anëtarë të Bordit të OShP-së janë zhvilluar më 14 maj 2019.

Por, ky institucion është duke funksionuar me vetëm tre anëtarë që një kohë të gjatë, pasi dy nga ish-anëtarët ishin suspenduar për shkak të ngritjes së aktakuzës.

Bordi i OSHP-së ka kompetencë të vendos për fatin e tenderëve milionësh që iniciohen nga institucionet e Kosovës. Marrja e vendimeve nga vetëm tre anëtarë është në kundërshtim me Ligjin për Prokurim Publik që kërkon që për tender e mëdhenj paneli shqyrtues duhet të përbëhet nga 5 anëtarë.