Gjykata e Apelit thotë se zgjidhi 4 mijë lëndë më shumë nga viti paraprak - VIDEO

Kryetari i Gjykatës së Apelit Hasan Shala, në një konferencë për media shfaqi punën e Gjykatës së Apelit gjatë vitit 2019.

Shala tha se 2019-ta, është viti më i suksesshëm sa i përket zgjedhjes së rasteve në këtë gjykatë.

“Kemi bërë më të mirën, kemi zgjidhur 17,600 lëndë në të gjitha departamentet, duke e tejkaluar për 4 mijë lëndë më shumë se vitin paraprak”, tha Shala.

 

Shala kërkoi nga institucionet që praktikantëve të angazhuar në sistemin e drejtësisë t’u ofrohet një pagë simbolike në të ardhmen.

Gjatë konferencës Shala kërkoi që të rritet edhe  numri i gjyqtarëve në Gjykatën e Apelit.

“Gjykata e Apelit ka nevojë edhe për 10 gjyqtarë, 8 në departamentin civil, 2 në departamentin ekonomik dhe një në atë administrativ, ky numër do të mundësonte që Gjykata e Apelit t’i trajtonte në kohë me të arsyeshme lëndët në këtë gjykatë”, shtoj Shala.

Kryetari i Apelit nuk e la pa e përmendur edhe punën e departamentit special në Gjykatën e Apelit.

Ai tha se ky Departament ka pranuar 17 lëndë prej të cilave 7 i ka zgjidhur ndërsa 10 i ka në shqyrtim.

Shala foli edhe për rastet e korrupsionit të cilat janë duke u trajtuar në Gjykatën e Apelit.

Ai tha se në rastet e korrupsionit në momentin kur vërtetohet fajësia duhet të shqiptohet dënim meritor dhe jo dënimi me kusht, pasi me dënimet me kusht po stimulohen zyrtarët që të keqpërdorin detyrën zyrtare.

“Sa i përket lëndëve të korrupsionit, Gjykata e Apelit, e ka filluar vitin 2019 me 18 lëndë të kësaj natyre, gjatë vitit kanë arritur edhe 89 lëndë, i kemi zgjidhur 88 dhe në përfundim e sipër i kemi edhe 19 lëndë. Prej rasteve të zgjidhura një ankesë është hedhur, 49 janë vërtetuar, 26 janë prishur dhe janë kthyer në rishqyrtim, në dy raste dënimi është ashpërsuar ndërsa në katër raste dënimi i shkallës së parë është zbutur”, deklaroj kryetari.