Foto: KALLXO.com

Gjykata e Apelit pritet të vendosë për herë të dytë në rastin e zyrtarëve të IPK-së, të akuzuar për privim nga liria të kolegut të tyre

Në Gjykatën e Apelit është mbajtur seanca gjyqësore në rastin e ish-kryeshefit ekzekutiv të Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK), Fitim Shishani, dhe zyrtarëve të lartë të këtij institucioni, Jetullah Aliu dhe Valbona Osmani.

Ata po akuzohen për privim nga liria të hetuesit të IPK-së, Q.V., në këtë rast – palë e dëmtuar.

Rasti për të cilin akuzohen 3 të pandehurit ka ndodhur më 2013.

Sipas aktakuzës, Jetullah Aliu dhe Valbona Osmani e kishin ndaluar hetuesin Q.V. në një motel buzë rrugës Ferizaj-Prishtinë.

Tutje, aktakuza thotë se të pandehurit Jetullah Aliu dhe Valbona Osmani pa ndonjë urdhër paraprak ia kishin marrë armën, distinktivin dhe telefonin mobil Q.V. dhe më pas kishin thirrur Policinë e Ferizajt dhe Q.V. ishte dërguar në stacionin policor për intervistim. Edhe dy të pandehurit kanë qenë në stacionin policor të Ferizajt.

“E pandehura Valbona Osmani, në konsultim me dy të pandehurit e tjerë Aliu dhe Shishani dhe së bashku me dëshmitarin B.R. e kanë shoqëruar të dëmtuarin pa pëlqimin e tij në zyrat e IPK-së në Hajvali që më pastaj të njëjtit, nuk i është lejuar që të largohet nga salla dhe nga ndërtesa e IPK-së, deri në orën 23:50, ose pas tetë orësh ndalimi” – thuhet në aktakuzë.

Q.V. më pas është marrë nga hetuesit e Drejtorisë së hetimeve të trafikimit me qenie njerëzore, të cilët ishin konsultuar paraprakisht por edhe në vazhdimësi me të pandehurit Aliu dhe Osmani.

Më pastaj, i dëmtuari Q.V. ishte intervistuar sërish nga hetuesi policor B.H. në zyrat e kësaj Drejtorie dhe së bashku në konsultim me të pandehurën Valbona Osmani ishte liruar.

Me këto veprime, sipas aktakuzës, të akuzuarit kanë kryer veprën penale – privimi i kundërligjshëm  nga liria.

Më 4 nëntor 2019, Gjykata e Prishtinës kishte liruar nga akuza Fitim Shishanin, Jetullah Aliun dhe Valbona Osmanin, me arsyetimin se nuk ishte provuar se të akuzuarit kanë kryer veprën penale që u vihej në barrë.

Mirëpo, pas ankesës së Prokurorisë, Gjykata e Apelit më 27 prill 2020, e ka anuluar aktgjykimin e Themelores dhe lëndën e ka kthyer në rigjykim.

Me aktgjykim të Gjykatës së Prishtinës, të datës 14 korrik 2022, të akuzuarit Jetullah Aliu dhe Valbona Osmani, janë dënuar me dënim prej 1 viti e 5 muaj burgim me kusht, kurse i akuzuari Fitim Shishani ishte liruar nga akuza.

Ndaj këtij vendimi ishte ankuar Prokuroria e Prishtinës, e cila pretendonte  vërtetim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike. Po ashtu, ishte e pakënaqur edhe me lartësinë e dënimit.

Po ashtu, ndaj vendimit të Gjykatës ishin ankuar edhe mbrojtësi i të akuzuarit Jetullah Aliu, avokati Skënder Musa, dhe i të akuzuarës Valbona Osmani, avokati Florin Vërtopi.

Këto ankesa janë shqyrtuar në Gjykatën e Apelit në seancën e 26 majit. Kolegji përbëhet nga gjyqtarët Ferit Osmani, Kadrie Goga-Lubishtani dhe Skënder Çoçaj.

Në këtë seancë, mbrojtësi i palës së dëmtuar Q.V.,avokati Besnik Berisha deklaroi se kjo çështje duhet të gjykohet në mënyrë meritore.

Berisha tha se ankesa e prokurorit të shtetit duhet të aprovohet në lidhje me ashpërsinë e dënimit sepse, sipas tij, sanksioni ka qenë i butë.

Avokati përmendi faktin se klienti i tij përveç që është prangosur, është mbajtur në ambient të izoluar dhe i mbyllur në tërësi nga komunikimi me ambientin e jashtëm, si dhe mbajtjen në stacion policor për 6 orë pa vendim të prokurorit.

Sipas tij, të akuzuarit në këtë rast nuk kanë pasur interes institucional por motivim personal ndaj të mbrojturit të tij, “sepse kanë publikuar foton e vendit të ngjarjes dhe të makinës dhe e kanë plasuar në media me qëllim diskriminues”, se “ka pasur procedurë dispilinore të kundërligjshme andaj edhe në aktgjykimin e shkallës së pare Q.A ishte kthyer në vendin e punës”.

I dëmtuari Q.V. qëndroi pranë fjalëve të mbrojtësit të tij dhe shtoi se i bashkangjitet ndjekjes penale por në këtë fazë të procedurës nuk kërkon dëmshpërblim.

Kurse, avokati Skënder Musa, mbrojtësi i të akuzuarit Jetullah Aliu, theksoi se ky është  procesi i tretë që mbahet për këtë çështje, andaj kërkoi nga kolegji i Apelit që këtë çështje ose ta rikthejë në rigjykim ose ta përjashtojë gjyqtaren e çështjes.

Sipas tij, gjendja faktike nuk është vërtetuar duke filluar nga ngjarja në stacionin policor në Ferizaj e deri te dosjet e procedurës disiplinore në Inspektoratin e Policisë së Kosovës.

Foto: KALLXO.com

Tutje avokati theksoi se në këtë rast janë shkelur neni 3 i KPPRK-së sepse vazhdimisht të akuzuarit janë konsideruar fajtorë, neni 5 lidhur me gjykim të drejtë për shkak të procesit të gjatë prej 10 vitesh e po ashtu lidhur me këtë edhe neni 6 i Kodit Penal dhe neni 31 i Kushtetutës si dhe neni 7 i KPPRK-së lidhur me detyrimet për prova shfajësuese.

Po ashtu, avokati theksoi se me dënimin me kusht me aktgjykimin e fundit, i mbrojturi i tij nuk ka pasur mundësi as të avancohet në pozitë të punës.

Edhe i akuzuari Aliu i përkrahu tërësisht fjalën dhe ankesën e të mbrojturit të tij.

Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarës Valbona Osmani, avokati Florin Vërtopi u shpreh se në asnjë raport nuk thuhet se i dëmtuari kishte qenë i privuar nga liria, dhe theksoi se ka qenë në interesin e tij të qëndrojë deri në ora 2 në mëngjes, për ta vërtetuar që ka qenë i pafajshëm dhe se nuk ka dhënë asnjë vërejtje atëherë. “Ai ka bërë ankesë pas 7 muajve”- shtoi ai.

Avokati deklaroi se mbetet në tërësi pranë ankesës së tij dhe kërkoi që të refuzohet ankesa e Prokurorisë dhe të mos merret parasysh lidhur më këtë çështje.

Foto: KALLXO.com

Edhe e pandehura Valbona Osmani tha se qëndron tërësisht pranë deklaratave të mbrojtësit të saj.

Vendimi i Gjykatës së Apelit pritet të merret në vazhdim.