Gjykata e Apelit merr vendim për ankesën e Naim Murselit

Gjykata e Apelit e ka vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore me të cilin i kishte caktuar një muaj paraburgim Naim Murselit dhe dy personave të tjerë lidhur me rastin e vrasjes së Liridona Ademajt.

Kundër vendimit të Themelores për paraburgim, ankesë kishte paraqitur mbrojtësi i të dyshuarit, Naim Murseli, avokati Ahmet Ahmeti, ankesë e cila ishte refuzuar si e pabazuar nga shkalla e dytë.

“Gjykata e Apelit e Kosovës, e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e mbrojtësit të pandehurit N.M, av.Ahmet Ahmeti, ndërsa aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda, PPRKR.nr.309/2023 të datës 12.12.2023, e ka vërtetuar”- thuhet në njoftimin e Gjykatës së Apelit

Gjykata Themelore me 3 dhjetor kishte caktuar një muaj paraburgim për Naim Murselin, Granit Plavën dhe Kushtrim Kokalla.

Vendim ky i marrë nga gjyqtarja e procedurës paraprake Sulltane Hoti, pas kërkesës së Prokurorisë të përpiluar nga Prokurorja Besa Limani.

Disa ditë pas ngjarjes, Policia e Kosovës ka arrestuar edhe një të dyshuar tjetër në lidhje me këtë rast. I arrestuari i katërt dyshohet se kishte armëm me të cilën është kryer vrasja.

Dosja e Prokurorisë

Sipas dosjes ekskluzive që kishte siguruar KALLXO.com, disa orë para se të vritej Liridona Ademaj, i dyshuari për rastin e organizimit të vrasjes së gruas së tij, Naim Murseli ishte takuar me të dyshuarin Kushtrim Kokalla duke i thënë “sot duhet të kryhet kjo punë”, duke aluduar në vrasjen e Ademajt.

Sipas dosjes së Prokurorisë, takimi kishte ndodhur në një qendër në Gjakovë në ora 9:30 minuta në mëngjes.

Ky takim kishte ndodhur  si rrjedhojë e një takimi rreth një javë para natës kritike, ku Murseli i kishte treguar Kokallës lidhur me “problemet bashkëshortore që është duke pasur me të ndjerën.” “Kokalla ishte munduar t’i bëjë zgjidhje Murselit duke i thënë ‘unë ta zgjidhi këtë punë”- thuhet në dosje.

“Naim Murseli i ka treguar te pandehurit Kushtrim për problemet e tij bashkëshortore me tani të ndjerën Liridona Murseli, i pandehuri Kushtrim i ka thënë ‘unë ta zgjidhi këtë punë’ dhe ndërkohë janë marrë vesh për një aksident të inskenuar”- thuhet në dosjen e Prokurorisë.

Kështu të dyshuarit kanë inskenuar një aksident të grabitjes, nga i cili kishte rezultuar më pas në vrasjen e Liridona Ademajt.

Sipas vendimit të gjykatës, Kushtrim Kokalla, Naim Murseli së bashku me Granit Plavën ishin takuar në një pompë të derivateve, ku Plava i kishte treguar të dyshuarve se “merret me gjithçka.”

Pas këtij takimi Naim Murseli, kishte kërkuar numrin e telefonit të Granit Plavës nga Kushtrim Kokalla,i cili ia kishte dhënë numrin.

Sipas dosjes, Murseli i kishte thënë Kokallës se do të aranzhojë një takim me dorasin, që në këtë rast sipas prokurorisë dyshohet të jetë, Granit Plava.

Sipas kërkesës për caktimin e masës së paraburgimit, Naim Murseli me qëllim që të privojë nga jeta bashkëshorten e tij, është marrë vesh me të pandehurin Granit Plava për të kryer këtë akt makabër.

Sipas dosjes, Naim Murseli kishte siguruar armën dhe e kishte pajisur më armë dorasin dhe kanë inskenuar një grabitje, inskenim i cili kishte ndodhur të mërkurën e 29 nëntorit të këtij viti rreth orës 20:25 në rrugën “Dalip Alshiqi.”

Sipas dosjes, derisa Naim Murseli me bashkëshorten dhe dy fëmijët ishin në makinën e tyre, papritmas del para veturës i dyshuari Granit Plava me masë në kokë dhe revole në dorë ku sipas marrëveshjes paraprake i pandehuri Naim Murseli me fëmijë ka dalë nga vetura dhe është larguar nga vendi i ngjarjes kinse për të ikur ndërsa në veturë ka mbetur tani e ndjera, Liridona Ademaj.

Ajo nuk kishte arritur të dalë nga vetura, pasi dyshihet se ishte qëlluar në pjesën e qafës më një plumb, duke mbetur e vdekur në vend.

Krejt ky inskenim, sipas dosjes së prokurorisë, ishte bërë pas një premtimi në shumë prej 30 mijë eurosh që Murseli i kishte bërë Plavës për kryerjen e këtij veprimi.

Mbi Naim Murselin rëndon vepra penale e vrasjes së rëndë në bashkëkryerje, kurse për Plavën rëndon vepra penale vrasje e rëndë dhe armëmbajtje pa leje, ndërsa për Kushtrim Kokallën marrëveshje për ta kryer veprën penale të vrasjes së rëndë.