Gjykata cakton nga një muaj arrest shtëpiak për të dyshuarit për rastin e vdekjes së dy punëtorëve në Gjakovë 

Gjykata e Gjakovës ka caktuar masën e arrestit shtëpiak prej një muaji ndaj Xh.P. dhe A.M., të cilët po dyshohen për rastin e vdekjes së dy punëtorëve. Rasti tragjik ka ndodhur dje, më 21.07.2025, në rrugën “Bardhyl Qaushi” në Gjakovë.

Duke iu referuar kërkesës së Prokurorisë për caktimin e masës, Gjykata thekson se më 21.07.2025 në një vendpunishte në rrugën “Bardhyl Qaushi” në Gjakovë si pasojë e mungesës së masave mbrojtëse dhe moszbatimit të rregullave për siguri në punë, kanë humbur jetën dy punëtorë, H. J. dhe D. B., pasi kanë rënë nga kati i tretë i objektit në ndërtim.

“Për këtë ngjarje, të dyshuar janë Xh. P., si person përgjegjës i “NTSH Sh….” Sh.P.K, dhe A. M., si person përgjegjës i “M. G.” Sh.P.K, të cilët në cilësinë e investitorit dhe punëkryesit nuk kanë siguruar pajisjet mbrojtëse dhe nuk kanë ndërmarrë masat e nevojshme për mbrojtjen e jetës dhe sigurisë së punëtorëve”- thuhet në njoftimin e Gjykatës të lëshuar sot, më 22.07.2025. 

Sipas Gjykatës, me këto veprime, të pandehurit dyshohet se kanë kryer veprën penale – asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe – rrezikimi i sigurisë në vendin e punës.

Në njoftim theksohet se gjyqtari i procedurës paraprake, Driton Sadiku, ka vlerësuar se në këtë fazë të procedurës penale masa e arrestit shtëpiak është e mjaftueshme për të siguruar praninë e dy personave të pandehur, të parandalojë përsëritjen e veprës penale dhe të sigurojë zbatimin e suksesshëm të procedurës penale.

Dy të pandehurit do të mbahen në arrest shtëpiak në kohëzgjatje prej një muaji, i cili do të llogaritet prej kohës së arrestimit, më 21.07.2025, dhe do të zgjasë deri më 20.08.2025.

Palët thuhet se kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit.

Prokuroria ka vlerësuar se investitori në objektin ky vdiqën dy punëtorët nuk ka instaluar pajisjet mbrojtëse për t’u kujdesur për sigurinë dhe shëndetin në punë për punëtorët.

Dy punëtorë, njëri 48-vjeç dhe tjetri 50-vjeç, vdiqën si pasojë e lëndimeve që i morën pasi ranë nga kati i tretë i një objekti në Gjakovë, më 21.07.2025.

“I pandehuri Xh.P., person përgjegjës i personit juridik – NTSH ‘Sh…’ Sh.P.K., më 21.07.2025, rreth orës 08:16h, në Gjakovë, në rrugën ‘Bardhyl Qaushi’, saktësisht në vendpunishten e përkohshme të subjektit afarist “NTSH Sh…”, në cilësi të punëdhënësit, investitorit i cili është përgjegjës për sigurinë dhe shëndetin në vendin e punës, nuk i instalon pajisjet mbrojtëse, nuk siguron përdorimin e tyre kur është e nevojshme dhe duke mos vepruar në pajtim me rregullat teknike mbi masat për sigurinë në vendin e punës nga pakujdesia shkakton vdekjen e punëtoreve, këtu të viktimave H.J. dhe D.B.” – thuhet në njoftim.

Në shkresën e Prokurorisë së Gjakovës përmenden edhe detajet se si ndodhi ngjarja tragjike.

Aty përshkruhet se viktimat ranë nga një lartësi prej 9 metrash. Punëtorët, sipas Prokurorisë, nuk kishin as mjete mbrojtëse.

“Derisa ishin duke punuar në ndërtimin e objektit banesor, përkatësisht kishin qenë në shkelësen e dërrasës së montuar jashtë kushteve teknike, duke bërë demolimin e dërrasave të jashtme të betonit për një moment dërrasa shkelëse thyhet dhe të njëjtit bien nga kati i tretë, në lartësinë nga toka prej nëntë (9) metrash, të cilët gjatë punës nuk kishin jelekë e helmeta mbrojtëse dhe as nuk kishin të vendosur litarin për siguri. Si dhe, vendi nga ku kanë rënë viktimat nuk kishte skele të vendosura e as parmak mbrojtës, që nuk do të lejonte që punëtorët të bien në tokë.” – thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Me këto veprime, sipas Prokurorisë, formohet dyshimi i bazuar se i pandehuri Xh.P. ka kryer veprën penale – asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse, dhe – rrezikimi i sigurisë në vendin e punës.

Njëjtë Prokuroria e bën përgjegjës edhe personin me inicialet A.N., person përgjegjës i personit juridik “M.G.” Sh.P.K., në cilësinë e punëkryesit, i cili nuk ka ofruar, sipas legjislacionit në fuqi, sigurinë dhe shëndetin në punë për punonjësit.

“Në cilësi të punëkryesit i cili është përgjegjës për sigurinë dhe shëndetin në vendin e punës nuk i instalon pajisjet mbrojtëse, nuk siguron përdorimin e tyre kur është e nevojshme dhe duke mos vepruar në pajtim me rregullat teknike mbi masat për sigurinë në vendin e punës nga pakujdesia shkakton vdekjen e punëtorëve.” – thuhet mes të tjerash në komunikatën e Prokurorisë.

Me këto veprime formohet dyshimi i bazuar se i pandehuri A.M. ka kryer veprën penale – asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse,  dhe – rrezikimi i sigurisë në vendin e punës.

Inspektorati i Punës reagoi përmes një komunikimi zyrtar, duke treguar se kompania ku vdiqën punëtorët ka qenë e gjobitur dy herë në të kaluarën.

Vdekja e dy punëtorëve në Gjakovë, Inspektorati i Punës: Subjekti më herët ka qenë dy herë i gjobitur