Kuvendi Komunal i Prizrenit - 13.02.2020

Zgjedhja e Kryesuesit të Asamblesë, LDK e lë vetëm Haskukën

Haskuka ka mbetur i vetëm pa partnerin e koalicionit, pasi që LDK nuk është paraqitur në mbledhjen për të votuar kryesuesin e Asamblesë Komunale.

Seancën edhe sot po e udhëheq Alush Shala, i cili është asamblisti më i vjetër.

Të gjithë grupet parlamentare kanë ardhë në mbledhje, por në këtë seancë nuk janë prezent asamblistët e LDK-së.

Sipas Udhëzimit Administrativ nëse edhe për herën e tretë do të dështojë zgjedhja e kryesuesit i tërë procesi do të përsëritet.

Por, rundi i tretë i votimit ndryshon nga dy rundet e para.

Kjo pasi që nëse në dy rundet e para të votimit për zgjedhje të kryesuesit të Asamblesë kandidati duhet të marrë më shumë se gjysmën e votave të numrit të përgjithshëm të anëtarëve të Kuvendit Komunal, apo 21 vota nga totali prej 41.

Mirëpo, në nenin 3 pika 4 të Udhëzimit thuhet: “Në votimin e tretë kryesuesi i Kuvendit të Komunës zgjidhet kandidati i cili merr më shumë se gjysmën e votave të anëtarëve të pranishëm dhe që votojnë për propozimin në mbledhjen e Kuvendit të Komunës”.

Në seancën e datës 27 janar, në dy runde kishte dështuar zgjedhja e kryesuesit të Asamblesë Komunale.

Partneri i koalicionit i LVV-së në Prizren, LDK-ja, kishte braktisur mbledhjen, me arsyetimin se nuk ishin marrë vesh paraprakisht për emrin e propozuar për kryesues.

Postet në bashkëqeverisje kanë lëkundur themelet e koalicionit LVV dhe LDK.

Kjo pasi që LDK ka kërkuar një drejtori më shumë ose postin e kryesuesit të Asamblesë Komunale në Prizren.

Muharrem Elezkurtaj, i porsazgjedhur anëtar i Asamblesë Komunale pas dorëheqje së Artan Abrashit është i propozuari nga LVV-ja për kryesues.

Ndërsa asamblisti Sulltan Badallaj është i propozuar nga opozita.