Kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj në takim me përfaqësuesit e “Grupit të Intelektualëve Romë në Komunën e Prizrenit” dhe përfaqësuesit e organizatave joqeveritare e shoqërisë civile/ FOTO: Komuna e Prizrenit, Facebook.

Riaktivizimi i kërkesës shumë vjeçare për njohjen e gjuhës rome në përdorim zyrtar

Jasir Misini është një prej banorëve të komunitetit rom në komunën e Prizrenit që është rritur duke dëgjuar se si Prizreni mban epitetin si qytet multietnik e i tolerancës.

Mirëpo, këtë herë Misini po pret që kjo gjë të vërtetohet në një formë tjetër.

Kjo pasi që “Grupi i Intelektualëve Romë në Komunën e Prizrenit” dhe Rrjeti i OShC-ve Ad Hoc për çështjen e gjuhës rome kanë nisur një inicativë përmes së cilës po kërkojnë njohjen e gjuhës rome si gjuhë në përdorim zyrtar në komunën e Prizrenit.

Kësisoj, këta aketrë po synojnë që komunitetit rom t’i gëzohet e drejta që gjuha e tyre të pranohet nga autoritetet lokale të komunës së Prizrenit si gjuhë në përdorim zyrtar.

“Sigurisht që zyrtarizimi i gjuhës rome do të krijonte lehtësime ngaqë unë dhe shumë qytetarë do e vërtetonim se Prizreni qenka qytet i tolerancës dhe qytet multietnik”- thotë Jasini, i cili shprehet pozitiv se kjo gjë do t’iu ndihmonte edhe banorëve të tjerë.

“Unë besoj se do të ketë lehtësime pasi shumica e shkrimeve do të përkthehen edhe në gjuhën rome dhe kjo do të ishte një histori për Prizrenin dhe një kënaqësi për komunitetin”- shprehet Misini, i cili mban shpresa që kjo kërkesë të mos hasë në vesh të shurdhër.

“Kuvendarët janë ata që vendosin, disa prej qytetarëve kanë edhe komente negative edhe pozitive e kjo frymohet shumë për kuvendarët. Mbetet të shohim se çfarë do të ndodhë”- tregon ai.

Ndërkaq, Fatmir Menekshe, drejtor i organizatës joqeveritare “Durmish Aslano” dhe koordinator i këtij projekti ka shpjeguar për KALLXO.com se një iniciativë e tillë ka vite që ka filluar por që këtë herë po ri-aktualizohet me mbështetjen e Këshillit të Evropës me një projekt të titulluar “Promovimi i diversitetit dhe gjuhës rome në komunën e Prizrenit” i implementuar nga OjQ “Nevo koncpeti”.

Sipas Menekshe, në mesin e arsyeve që i ka shtyrë ata drejt kësaj iniciative qëndron edhe synimi për mbrojten e gjuhës dhe kulturës rome.

“Si çdo komunitet edhe komuniteti ynë e ka një gjuhë dhe gjuha jonë duhet të mbrohet edhe institucionalisht dhe rrezikohet të zhduket apo edhe komuniteti jonë rrezikohet të asimilohet duke parë numrin e vogël të komunitetit dhe mos përfaqësimin e duhur në institucione publike”- ka thënë Menekshe për KALLXO.com, teksa ka shtuar se këto rrethana mund të ndikojnë në asimilim të komunitetit rom apo në harresë ose në mos përdorimin e gjuhës rome në jetën e përditshme.

Ai ka shpjeguar se pavarësisht se një inicativë e tillë ka qenë shpesh prezente ndër vite, ajo nuk ka arritur që ta marrë “dritën e gjelbër”.

“Gjatë viteve herë pas here është aktivizuar grupi i intelektualëve dhe u kanë dërguar shkresa institucioneve publike por deri më tani gjithmonë është neglizhuar komuniteti apo nuk është proceduar kjo kërkesë. Nuk ka hyrë në rend dite ose nuk është proceduar brenda në kuvendin komunal”- ka shpjeguar Menekshe.

Edhe Erxhan Galushi, deputet nga komuniteti rom në Kuvendin e Kosovës shpreson që ky aktivizëm pothuajse dy dekadësh të marrë një përgjigje pozitive.

Galushi ka shpjeguar se në këtë situatë ka një varg arsyesh të cilat kanë shkaktuar që ky proces të zgjatet.

“Fillimisht ne kemi pasur interpretime të ndryshme sepse kemi ndjekur procedura të shumta lidhur me zyrtarizimin e gjuhës rome”- është shprehur Galushi duke i përmendur edhe zgjedhjet e shpeshta si një ndër sfidat në këtë proces.

“Po ashtu, kanë ndikuar zgjedhjet e shpeshta, domethënë nuk kemi mundur të biem dakord, pastaj ka pasur mangësi me interpretime. Në qeverinë e kaluar lokale kur kemi dashur ta konsultojmë atëherë kur kanë qenë të gjithë pothuajse të gatshëm u shpallën zgjedhjet dhe nuk kemi mundur ta qojmë procesin deri në fund”- ka thënë ai.

Në anën tjetër Fridon Lala, anëtar i Komisionit për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim në një përgjigje për KALLXO.com ka thënë se komuniteti rom duhet ta gëzojë këtë të drejtë për shkak të numrit të madh të këtij komuniteti që jeton në komunën e Prizrenit.

“Normalisht që është një numër i konsiderueshëm i komunitetit rom që jeton në Prizren, dihet se është qyteti më i madh me komunitetin rom edhe po besoj që është e drejtë e tyre që me e gëzu të drejtën që ta kenë gjuhën e tyre gjuhë zyrtare”- ka thënë Lala për KALLXO.com.

Lidhur me këtë për KALLXO.com ka folur edhe Besfort Rrecaj, profesor në Fakultetin Juridik në Universitetin e Prishtinës.

“Kushtet për caktimin e një gjuhe si gjuhë zyrtare në nivel komunal Kosovë përcaktohen në Ligjin për Gjuhët Zyrtare ku neni 2.4 konkretisht detyron organet komunale të Kosovës që në rastet kur në një komunë jeton një bashkësi e cila përfaqësohet me minimum prej 3% të popullatës së përgjithshme të asaj komune atëherë ajo komunë duhet të vë në përdorim zyrtarë gjuhën e atij komuniteti”- ka shpjeguar Rrecaj.

Mirëpo, si një problem me këtë nen në këtë rast ai ka përmendur mungesën e të dhënave.

“Problematikë kryesore me këtë nen është se a kemi të dhëna te sakta në lidhje me përfaqësimin e një bashkësie, në rastin konkret të bashkësisë rome”- ka vijuar ai.

Për këtë, Fatmir Menekshe ka thënë se në komunën e Prizrenit mund të ketë më shumë banorë të komunitetit romë se sa që janë të regjistruar.

“Sipas statistikave të fundit në komunën e Prizrenit jetojnë përafërsisht 3 mijë romë por gjithmonë është dyshuar se nuk është bërë regjistrimi në mënyrën e duhur dhe besojmë që më shumë se 5 mijë romë jetojnë në komunën e Prizrenit”- ka thënë Menekshe.

Ai ka thënë se më 26 tetor kjo kërkesë do të diskutohet në mbledhjen e nëntë të Komitetit të Komuniteteve, gjersa më 4 nëntor do të realizohet një konferencë në Kuvend ku do të manifestohet dita ndërkombëtare e gjuhës rome.

“Pastaj presim a do të vendoset në rend dite apo jo”- ka shpjeguar ai.

Lidhur me këtë KALLXO.com ka kontaktuar edhe komunën e Prizrenit për të marrë një qëndrim nga ta.

Jona Hoxhaj, zëdhënëse e komunës së Prizrenit ka pohuar se ndaj këtij institucioni ka pasur kërkesë për njohjen e gjuhës rome në përdorim zyrtar.

“Përfshirja e gjuhës rome në përdorim zyrtar në Komunën e Prizrenit, po trajtohet me seriozitetin maksimal. Kryetari Shaqir Totaj është zotuar se do të punoj me seriozitet me të gjithë akterët relevant për këtë çështje”- ka thënë Hoxhaj për KALLXO.com.

Edhe komuna e Prizrenti përmes një postimi në Facebook ka bërë të ditur se lidhur me këtë kërkesë kreu i kësaj komune ka mbajtur një takim me përfaqësuesit e “Grupit të Intelektualëve Romë në Komunën e Prizrenit” dhe përfaqësuesit e organizatave joqeveritare e shoqërisë civile.

“Kryetari u shpreh se gjuha është jetike për njerëzimin e ky komunitet ka trashëgimi unike dhe ndër prioritetet e Komunës është mbrojtja e të drejtave të komuniteteve si dhe e të gjithë qytetarëve të Komunës së Prizrenit, pa dallim”- u tha ndër të tjera në këtë postim.

Për këtë temë KALLXO.com ka dërguar pyetje edhe në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), por deri në publikimin e këtij artikulli KALLXO.com nuk ka marrë përgjigje.