Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Komuna e Prizrenit njeh gjuhën rome si gjuhë në përdorim zyrtar

Kuvendi komunal i Prizrenit ka votuar pro për aprovimin e gjuhës rome si gjuhë në përdorim zyrtar. Këtë e ka bërë të ditur kryetari komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj përmes një njoftimi në Facebook.

“Sot, zgjidhëm një prej çështjeve më të rëndësishme të komunitetit rom në Komunën e Prizrenit, gjë për të cilën është punuar më shumë se një dekadë që të arrihet në pikën që u realizua sot. Në mbledhjen e sotme të Kuvendit Komunal, votuam pro që Gjuha Rome të njihet si gjuhë në përdorim zyrtar në Komunën e Prizrenit” – ka shkruar Totaj, i cili ka thënë se ndër prioritetet e kësaj komune është mbrojtja e të drejtave të komuniteteve dhe e të gjithë qytetarëve.

“Gjuha është jetike për njerëzimin e ky komunitet ka trashëgimi unike dhe ndër prioritetet e Komunës është mbrojtja e të drejtave të komuniteteve si dhe e të gjithë qytetarëve të Komunës së Prizrenit, pa dallim” – ka vijuar Totaj.

Lidhur me këtë ka reaguar edhe Fatmir Menekshe, drejtor i organizatës joqeveritare “Durmish Aslano”

“Komuna e Prizrenit njeh gjuhën rome si gjuhë në përdorim zyrtar! U shkruajt Historia në Prizren!” – ka shkruar Menekshe.

KALLXO.com kishte raportuar edhe më parë në lidhje me këtë çështje.

Menekshe kishte shpjeguar për KALLXO.com se  “Grupi i Intelektualëve Romë në Komunën e Prizrenit” dhe Rrjeti i OShC-ve Ad Hoc për çështjen e gjuhës rome kishin nisur një inicativë përmes së cilës kërkonin njohjen e gjuhës rome si gjuhë në përdorim zyrtar në komunën e Prizrenit.

Po ashtu, Menekshe kishte shpjeguar për KALLXO.com se një iniciativë e tillë ka vite që kishte filluar por që këtë herë ishte ri-aktualizuar me mbështetjen e Këshillit të Evropës me një projekt të titulluar “Promovimi i diversitetit dhe gjuhës rome në komunën e Prizrenit” i implementuar nga OjQ “Nevo koncpeti”.