(Arkiv) Shaban Gogaj, i akuzuar për vrasjen e Agonis Tetajt - FOTO-KALLXO.com

Gjoba ndaj avokatit Besnik Berisha në çështjen e Shaban Gogajt, Apeli merr vendim

Gjykata e Apelit duke aprovuar ankesën e Besnik Berishës ka kthyer në rivendosje vendimin për shqiptimin e gjobës ndaj tij në çështjen penale ndaj Shaban Gogajt.

Gjykata ka gjetur se ankesa e avokatit Besnik Berisha është e bazuar.

Besnik Berisha ishte përjashtuar nga e drejta për të mbrojtur Shaban Gogajn.

Ky vendim i gjykatës kishte ardhur pasi atij i ishte shqiptuar nga ana e gjykatës gjoba prej 500 eurove.

““Nga arsyetimi i vendimit nuk është e qartë nëse gjoba mbrojtësit av. Besnik Berisha është shqiptuar për shkak të prishjes së rendit ose mosbindjes së urdhrave të gjyqtarit-kreytarit të trupit gjykues, ngase në arsyetim vetëm konstatohet se i është tërhequr disa herë vërejtja që të mos pengoj punën pa dhënë sqarime se kur dhe si është tërhequr vërejtja, ngase vërejtja duhet rrjedhimisht të konstatohet dhe t`i bëhet me dije për pasojat që mund t`i pasojnë sipas kësaj dispozite ligjore, duke cekur saktësisht këto konstatime procedurale apo se përsëritjen nga i njëjti trup gjykues është paragjykues e konsideron si prishje të rëndit gjegjësisht pengimin e punës së gjykatës apo mosbindja e urdhrit të gjykatës”, thuhet në arsyetimin e vendimit të gjykatës së Apelit.

KALLXO.com ka raportuar ditë më parë se kryetari i Gjykatës së Pejës e ka refuzuar si të pabazuar kërkesën për inicim të procedurës disiplinore ndaj gjyqtares Husaj- Rugova.

Më 28 qershor të këtij viti, Gjykata e Pejës ka përjashtuar avokatin Besnik Berisha nga e drejta për të mbrojtur të akuzuarin Shaban Gogaj.

“Përjashtohet nga gjykimi avokati Besnik Berisha saktësisht nga e drejta për mbrojtjen e Shaban Gogajt dhe njoftohet i akuzuari se mund të angazhojë një mbrojtës tjetër menjëherë në të kundërtën nëse nuk e cakton, do të i caktohet mbrojtës sipas detyrës zyrtare”, tha gjyqtarja Violeta Husaj – Rugova.

Në mars të këtij viti, KALLXO.com ka raportuar për fotografinë ku shiheshin prokurori Agron Uka e avokati Besnik Berisha, fotografi kjo e cila u publikua në KALLXO.com disa orë pas publikimit të pamjeve të vrasjes së Agonis Tetajt.