Arkiv - Gjykata Themelore e Pejës

Gjykata e Pejës refuzon kërkesën e OAK për inicim të procedurës disiplinore ndaj gjyqtares në rastin e Shaban Gogajt

Gjykata e Pejës e ka refuzuar si të pabazuar kërkesën këshillit të Oda e Avokatëve të Kosovës për inicim të procedurës disiplinore ndaj gjyqtares që është duke udhëhequr rastin e vrasjes së Agonis Tetajt.

Sipas burimeve të KALLXO.com, gjykata e ka hedhur poshtë edhe kërkesën për rishqyrtim të vendimit për gjobë dhe përjashtim të avokatit Besnik Berisha.

Avokati Besnik Berisha i cili ka qenë mbrojtës i Shaban Gogaj, ishte përjashtuar nga e drejta për të mbrojtur atë.

Këshilli i ka dalë në mbrojtje avokatit Besnik Berisha.

OAK kishte kërkuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës që të bëjë vlerësimin e ligjshmërisë së aktvendimeve në lidhje me shqiptimin e gjobës dhe përjashtimin e avokatit Berisha nga mbrojtja e të pandehurit në atë çështje penale.

Këshilli madje ka kërkuar nga Gjykata e Pejës, respektivisht kryetari i saj, që të rishqyrtojë aktvendimet e marra dhe të iniciojë procedurë disiplinore ndaj kryetares së trupit gjykues Violeta Husa-Rugova për rastin e avokatit Berisha.

“Oda e Avokatëve të Kosovës, deri në njoftimin nga Prokurori Disiplinor i OAK-së, nuk do të bëjë caktimin e avokatit sipas detyrës zyrtare në kërkesën eventuale nga Gjykata Themelore në Pejë për këtë çështje penale, për të akuzuarin Shaban Gogaj”, thuhet në vendim.

Këshilli Drejtues i Odës së Avokatëve të Kosovës thekson se ka shqyrtuar kërkesën e paraqitur nga avokati Besnik Berisha për trajtimin e rastit të shqiptimit të gjobës dhe përjashtimin nga mbrojtja e mëtutjeshme e të pandehurit Shaban Gogaj.

Më 28 qershor të këtij viti, Gjykata e Pejës ka përjashtuar avokatin Besnik Berisha nga e drejta për të mbrojtur të akuzuarin Shaban Gogaj.

“Përjashtohet nga gjykimi avokati Besnik Berisha saktësisht nga e drejta për mbrojtjen e Shaban Gogajt dhe njoftohet i akuzuari se mund të angazhojë një mbrojtës tjetër menjëherë në të kundërtën nëse nuk e cakton, do të i caktohet mbrojtës sipas detyrës zyrtare”, tha gjyqtarja Violeta Husaj – Rugova.

Në mars të këtij viti, KALLXO.com ka raportuar për fotografinë ku shiheshin prokurori Agron Uka e avokati Besnik Berisha, fotografi kjo e cila u publikua në KALLXO.com disa orë pas publikimit të pamjeve të vrasjes së Agonis Tetajt.