Gjermania dhe Ukraina dakordohen për furnizim me sisteme raketore ‘Patriot’

Gjermania dhe Ukraina kanë rënë dakord për furnizimin e dy sistemeve shtesë raketore të mbrojtjes ajrore Patriot në Kiev, deklaroi presidenti ukrainas Zelenskiy në fjalimin e tij të fundit të mbrëmjes. “Kjo patjetër do të na sjellë më afër krijimit të një mburoje ajrore të plotë për Ukrainën. Kjo do të ndihmojë njerëzit, qytetet, fshatrat”, ka thënë Zelenskiy.

Ndërkohë, zhvillimet tjera në dhe rreth luftës në Ukrainë, janë si në vjim: 

Një shpërthim në terrenin e një fabrike në veri të Moskës, e cila më parë prodhonte pajisje optike për ushtrinë ruse vrau një person, plagosi 60 të tjerë dhe la të paktën tetë persona të pagjetur ende, thanë zyrtarët e atjeshëm. Asnjë shpjegim zyrtar nuk u dha për shpërthimin në qytetin Sergiev Posad i cili shtoi shqetësimet për sulmet e fundit me dron gjatë natës në Moskë.

Forcat ukrainase kanë bërë një përpjekje për ta kaluar lumin Dnipro që ndan Khersonin e çliruar dhe të pushtuar, duke shkelur potencialisht atë që për muaj të tërë ka shërbyer si vija e frontit në jug të Ukrainës. Blogerët ushtarakë rusë raportuan se deri në shtatë varka, secila me rreth gjashtë deri në shtatë persona, zbarkuan pranë vendbanimit Kozachi Laheri, në lindje të qytetit Kherson, dhe depërtuan nëpër linjat mbrojtëse ruse.

Dy persona u vranë dhe shtatë u plagosën në një sulm me raketa nga Rusia në qytetin ukrainas të Zaporizhzhias.  

Tridhjetë tanke luftarake Leopard I të dorës së dytë do të rinovohen nga prodhuesi i armëve Rheinmetall me urdhër të qeverisë gjermane dhe do të eksportohen në Ukrainë, ka konfirmuar një zëdhënës i kompanisë në fjalë. Tanket janë pjesë e një flote prej 49 automjetesh që kompania me bazë në Düsseldorf i bleu nga kompania belge e mbrojtjes private OIP Land Systems.

Prokurorët gjermanë ndërkohë arrestuan një zyrtar nga agjencia e prokurimeve ushtarake me dyshimin se i kishte kaluar informacione sekrete inteligjencës ruse, thuhet në një deklaratë të bërë nga zyra e prokurorit federal. Gjermania, një nga ofruesit më të mëdhenj të pajisjeve ushtarake për Ukrainën, është një objektiv kryesor i operacioneve të spiunazhit rus, të cilat janë rritur në shkallë që nga pushtimi rus i Ukrainës në vitin 2022, kanë paralajmëruar autoritetet.

SHBA dhe Kanadaja vendosën sanksione të reja ndaj Bjellorusisë për abuzimet e të drejtave të njeriut dhe mbështetjen për luftën në Ukrainë. Masat e reja të SHBA përfshijnë veprime kundër transportuesit shtetëror Belavia dhe kanë në shënjestër një manjat duhani pranë presidentit Alexander Lukashenko si dhe 101 zyrtarë të akuzuar për përmbysje të demokracisë.

Dy dronë luftarakë ukrainas të drejtuar për në Moskë u rrëzuan, thanë zyrtarët rusë të mërkurën, sulmi i fundit që kishte si cal kryeqytetin. Kryebashkiaku i Moskës Sergei Sobyanin tha në Telegram se “përpjekja e dy dronëve luftarakë për të fluturuar në qytet u regjistrua. Të dy u qëlluan nga mbrojtja ajrore”.

Moska e ka akuzuar Poloninë dhe Finlandën se po e kërcënojnë sigurinë e saj dhe u zotua një përgjigje ndaj shumëfishimit të “kërcënimeve” në kufirin perëndimor të Rusisë nga anëtarët e NATO-s. “Kërcënimet për sigurinë ushtarake të Federatës Ruse janë shumëfishuar në drejtimet strategjike perëndimore dhe veriperëndimore”, ka deklaruar ministri i mbrojtjes Sergei Shoigu në një takim me zyrtarë ushtarakë. Këto rreziqe “kërkojnë një përgjigje në kohë dhe adekuate”, shtoi ai.

Polonia më herët njoftoi se do të dërgojë 2000 trupa shtesë në kufirin e saj lindor për t’iu bashkuar 2000 ushtarëve të stacionuar tashmë atje, pasi e forcon kufirin e saj me Bjellorusinë pasi u bë një bazë e re për grupin mercenar rus ëagner. Javën e kaluar Polonia tha se helikopterët bjellorusë kishin shkelur hapësirën e saj ajrore dhe ka paralajmëruar për provokime nga Bjellorusia./The Guardian

Përgatiti: Nuhi Shala