Ilustrim, Foto: Gerd Altmann

Gjashtë të dyshuar për dhunë në familje në 24 orë

Gjashtë persona, në pesë raste të ndryshme, po dyshohet se kanë kryer veprën penale dhunë në familje në 24-orët e fundit në Kosovë.

Policia e Kosovës ka njoftuar se dy nga këto ngjarje kanë ndodhur në Gjakovë e nga një në Prishtinë, Obiliq dhe Pejë.

Pesë persona u arrestuan e një tjetër vetëm u shoqërua në stacion policor, që të gjithë burra.

Policia ka thënë se në Prishtinë më 07.03.2024 në 00:55 është arrestuar një i dyshuar, pasi që kishte sulmuar me një mjetë të mprehtë-thikë viktimën.

PK tha se nuk raportohet për të lënduar dhe se lidhur me rastin një thikë është sekuestruar, ndërsa me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Tutje është thënë se një rast tjetër po ashtu më 07.03.2024 në 23:10h ka ndodhur në Obiliq.

Policia njoftoi se kanë shoqëruar në stacionin policor një të dyshuar pasi që ka ushtruar dhunë ndaj viktimës.

Raporti ka treguar se viktima ka pranuar tretman mjekësor dhe se me vendim të prokurorit pas intervistimit palët janë liruar dhe rasti shkon në procedurë të rregullt.

Rasti i tretë i dhunës në familje ka ndodhur në Pejë më 07.03.2024 në 10:00h.

Në këtë rast janë arrestuar dy të dyshuar pasi që të njëjtit kanë pasur një zënkë apo mosmarrëveshje.

“Me vendim të prokurorit, të dyshuarit pas intervistimit janë liruar në procedurë të rregullt. Rasti duke u hetuar” – tha Policia.

Një arrestim tjetër për veprën penale “Dhunë në familje” ka ndodhur në Gjakovë më 07.03.2024 në 09:10h.

Raporti 24-orësh policor bëri të ditur se i arrestuari dyshohet se ka sulmuar fizikisht viktimën të cilës i ka shkaktuar lëndime.

Viktima u tha se ka pranuar tretmanit mjekësor dhe se me urdhër të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Më 07.03.2024 ka ndodhur edhe një arrestim tjetër në Gjakovë për veprën e njëjtë penale ndaj një gruaje, por që rasti ka ndodhur më 05.03.2024 në 20:00h.

Policia tha se me vendim të prokurorit pas intervistimit palët janë liruar në procedurë të rregullt.