Qyteti i Gjakoves

Gjakovë, Policia publikon fotot e dy të miturve në kërkim

Policia e Gjakovës ka kërkuar bashkëpunim nga qytetarët, duke bërë publikimin e dy të miturve të cilët janë në kërkim.

Zëdhënësja e Policisë së Gjakovës, Lirije Podrimaj, ka thënë se duke u bazuar në autorizimin e Prokurorisë së Gjakovës për publikimin e fotografive të personave në kërkim, kërkon bashkëpunim me qytetarët.

Personi viktimë është Yllka (Naim) Derri, e lindur më 04.10.2003 nga Gjakova.

Ndërsa personi i dyshuar është Besart (Blerim) Radosta i lindur me 21.08.2002 nga Gjakova.

“I dyshuari është i kërkuar për veprën penale ‘bashkësi jashtëmartesore me personin nën moshën 16 vjeçare”, thuhet në kërkesën e Policisë së Gjakovës.

Kanë kaluar 7 muaj që nga zhdukja e viktimës Yllka Derri, që kur ishte larguar nga shtëpia.

KALLXO.com në muajin gusht kishte raportuar për këtë rast.

Misteri i zhdukjes së vajzës së mitur nga Gjakova

Vajza e familjes Derri dyshohej se që nga 14 qershori ishte arratisur me djalin e familjes Radosta.

Policia thotë se me datën 15.06.2019 në orën 09:15 në stacionin policor në Gjakovë, është raportuar nga familjarët se ishte larguar nga shtëpia e saj.

“Policia në Gjakovë ka punuar intensivisht në gjetjen e vajzës së mitur dhe gjatë hetimeve ka arrestuar edhe një person të dyshuar për mundësim të veprës penale ‘bashkësi jashtëmartesore me personin nën moshën 16 vjeçare’ dhe rasti është dërguar me kallëzim penal në Prokurorinë e Gjakovës me datën 30 korrik 2019”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Ndërsa me datën 16 tetor 2019, për shkak të peshës së veprës penale dhe ndjeshmërisë së rastit, i njëjti rast është transferuar për hetim në Sektorin Rajonal për Hetime.

Në këtë rast, në koordinim me prokurorin e çështjes janë intervistuar disa persona, janë kontrolluar disa lokacione të dyshuara, por deri më tani  nuk është gjetur viktima e as personi i dyshuari Besart Radosta, i cili dyshohet se është bashkë me viktimën.

Andaj, në lidhje me këtë rast Policia e Kosovës kërkon bashkëpunim maksimal nga qytetarët e Republikës së Kosovës, që kushdo që ka informacion për vendndodhjen e personit të dyshuar dhe të viktimës të paraqitur në fotografitë e bashkangjitura, të lajmërojnë Policinë e Kosovës Gjakovë apo stacioni më i afërt policor.